Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka filluar takimet me krerët shtetërorë në kuadër të vizitës së tij dyditore në Maqedoninë e Veriut.
Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, Stoltenberg bashkë me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, arritën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u organizua pritje solemne për nder të tyre.
Përveç kryetarit të parlamentit Xhaferi, në Kuvend ishin të pranishëm edhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.
Ndërkohë Stoltenberg do të zhvillojë takim dypalësh me kryeministrin Zoran Zaev, dhe më pas do të mbahet takimi i Këshillit Veriatlantik me Komitetin për Integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Gjithashtu, ai do të takohet edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski. Kjo është vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit Veriatlantik në Shkup pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e vendit në Aleancë./ABC News Albania 24/7