Stoku i ilaçeve, Prokuroria e Tiranës heton zyrtarët e QSUT-së

schedule12:21 - 14 Mars, 2019

schedule 12:21 - 14 Mars, 2019

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për praktikat e tenderimeve të barnave të blera për farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, QSUT, gjatë viteve 2012-2018, që prodhuan një stok me barna të skaduara me vlerë miliona euro. Në maj të vitit të shkuar 93 përqind e ilaçeve ne farmacinë qendrore të QSUT-së ishin të skaduara.

93 për qind e ilaçeve në farmacinë qendrore të QSUT-së në Maj 2018 ishin të skaduara dhe vetëm 7 për qind e tyre ishin ende të përdorshme për pacientët. Skandali i tenderimit për blerjet e ilaçeve u zbulua nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur edhe një hetim për këtë çështje. Sipas organit të akuzës deri më tani dëmi që i kanë shkaktuar këto tendera buxhetit të shtetit është deri në 7 milionë euro.

Burime për ABC News bëjnë me dije se shifra e dëmit mund të jetë edhe më e lartë, pasi hetimet për këtë çështje vazhdojnë. Prokuroria e Tiranës e ka përqendruar hetimin në identifikimin e personave përgjegjës, të cilët dyshohet të ketë shkaktuar këtë dëm financiar. Po i njëjti burim shprehet për ABC Neës se hetimi ka përfshirë zyrtarët që kanë lejuar apo blerë medikamente në sasi të mëdha pranë afatit të skadencës dhe ata që nuk i kanë përdorur para skadimit këto barna si edhe sasi të tjera të dhuruara të cilat kanë shkuar dëm pa jua dhënë pacientëve.

Kjo lloj praktike e tenderimeve të barnave të blera për farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, ka shkaktuar një stok të barnave, ku referuar të dhënave të vitit të shkuar vetëm 7 përqind e tyre ishte e përdorshme. Personat përgjegjës nëpërmjet këtyre tenderave kanë pastruar magazinat dhe kanë krijuar një stok me ilaçe të skaduara në QSUT.

Qindra e  mijëra medikamente mjekësore të skaduara janë stok, ndërkohë që pacientët përballen me mungesën e barnave dhe detyrohen t’i blejnë kundrejt çmimeve të larta në farmacitë private. Sipas prokurorisë, barnat e skaduara ishin akumuluar gjatë  viteve 2012-2018. Ky skandal u zbulua pas një kallëzimi që kanë bërë vitin e kaluar nga 6 punonjës të Drejtorisë së Shërbimeve Spitalore Universitare dhe Kontrollit Spitalor, të cilët pretendonin se janë shkarkuar padrejtësisht nga drejtuesja e tyre Lediana Mehmeti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!