Stjuart Smakaj pranon vrasjen e shokut: Qëllova shoferin e mobilerisë, m’u duk sikur nxori armën

schedule10:11 - 19 Gusht, 2020

schedule 10:11 - 19 Gusht, 2020

Stjuart Smakaj 23 vjeçari i arrestuar nga policia si autor i dyshuar për vrasjen e shokut të tij Gledis Kraja e ka pranuar krimin dhe është shprehur se ka qenë ai që ka qëlluar me armë.

Ai ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim të vrasë Gledis Krajën por se ka qëlluar në drejtim të Denis Halilit.

I gjithë sherri sipas tij ka nisur për shkak të parkimit të kamionit te mobilerisë. Familja Smakaj kishte bërë porosinë e divanëve për banesën e tyre në të cilën ishin vendosur prej pak kohësh.

Gazetari Simon Shkreli raporton për abcnews.al se debati ka nisur mes vëllezërve Smakaj dhe shoferit të mobilerisë, të cilit i kanë kërkuar që të parkojë kamionin afër hyrjes së pallatit i cili ndodhet përballë vendit ku ka ndodhur ngjarja. Shoferi ka refuzuar një gjë të tillë nen pretekstin se nuk ka mundësi parkimi duke e larguar kamionin pak metra më tutje.

Mes tyre dhe shoferit ka nisur një debat, në të cilin ka ardhur për të sqaruar situatën e krijuar edhe pronari i mobilerisë.

Në atë moment mes vëllezërve Smakaj dhe punonjësve të mobilerisë ka nisur fillimisht konfrontimi fizik. Në këtë moment në ndihmë të shokëve të tyre ka ardhur edhe 23 vjeçari Gledis Kraja, i cili ka arritur fillimisht të qetësojë gjakrat.

Më pas mësohet se pas disa çastesh ka rifilluar debati dhe në këtë moment Stjuart Smakaj është shkëputur dhe ka shkuar në banesën e tyre në katin e dytë.

Në momentin kur Gledis Kraja ka ndërhyrë në mes për të shuar konfliktin fizik mes Sebastian Smakaj dhe pronarit te mobilerisë ky i fundit është nisur drejt automjetit te tij me qëllim që të largohej.

Në këtë moment Stjuart Smakaj ka qëlluar në drejtim të personave që ndodheshin në rrugë duke u përleshur me njëri tjetrin. I ndodhur mes plumbave dhe në afërsi të automjetit ku ishte drejtuar shënjestra, Gledis Kraja është prekur nga plumbat të cilët i kane marrë jetën pasi është dërguar në spital.

“Në atë moment ne na erdhi në ndihmë shoku ynë Gledis Kraja. Ai u përpoq që të na qetësojë. Po debate vazhdoi sërish.

Unë u shkëputa për në banesë në katin e dytë dhe mora armën. E kreva këtë veprim se kisha frikë se pronari I mobilerisë mund të mere armë dhe të na qëllonte”, eshte shprehur ai.

Smakaj është shprehur se nuk kishte qellim të vriste askënd dhe se kishte frikë se mos pronari i mobilerisë shkoi në automjet të marrë armën.

23 vjecari Smakaj në fund të dëshmisë ka thënë se armën e modifikuar e ka zbrazur vetëm për të trembur personat e përfshirë në konflikt dhe nuk kishte qëllim të vriste askënd.

“Gledisin e kisha shok dhe nuk doja ta vrisja. Jam penduar”, është shprehur ai.

Stjuart Smakaj është larguar me shpejtësi së bashku më vëllanë e tij nga vendngjarja./abcnews.al