Kolonel Çlirim Toci thotë se stërvitja ushtarake e Rusisë në Paqësor, po bëhet për t’i dhënë një mesazh Japonisë dhe Koresë së Jugut, dy vende që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës.
Në emisionin “Lufta dhe Paqja”, Toci u shpreh se Japonia ka premtuar mbështetje për Ukrainën, teksa kryeministri japonez vizitoi Kievin pak kohë më parë.
Toci shtoi se Koreja e Jugut ka vendosur që të mbështesë Ukrainën me municione.
“Rusia, me këtë stërvitje në bën në Paqësor do të japë një mesazh dhe mesazhi është për vendet që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës. Një nga vendet që e kundërshton pushtimin e Ukrainës, është Japonia. Japonia dhe Koreja e Jugut. Kjo stërvitje zhvillohet konkretisht, një muaj pas vizitës së kryeministrit të Japonisë në Ukrainë, e cila ishte një vizitë e beftë, në kohën që presidenti i Kinës, Xi Jinping zhvilloi një vizitë në Moskë. Gjatë vizitës së tij në Kiev, kryeministri i Japonisë premtoi që ta mbështeste. Ky është një mesazh për Japoninë dhe për Korenë e Jugut.
Njëkohësisht, Koreja e Jugut ka vendosur që të mbështesë Ukrainën me municione. Kjo është një kërkesë që erdhi nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili vizitoi Korenë e Jugut dhe Japoninë në janar të këtij viti. Gjatë vizitës në Seul dhe në Tokio, u kërkoi këtyre dy vendeve shumë të zhvilluara dhe partnerë global të NATO-s, që ta mbështesin Ukrainën”, theksoi ai./abcnews.al