Milani luan nesër kundër Lille në Europa Laeague dhe para ndeshjes ka folur si zakonisht trajneri Stefano Pioli. Tekniku i kuqezinjve i ka idetë e qarta: “Qëllimi ynë gjithmonë është që t’i udhëheqim ndeshjet. Duam të jemi aktivë. Jemi një ekip i ri, por gjithashtu jemi të pjekur për mënyrën se si sillemi në fushë”.
“E dimë që kemi shumë ndeshje këto ditë. Nesër zhvillojmë një sfidë të rëndësishme kundër një ekipi të fortë. Jemi të përqendruar për të vijuar rrugën tonë në mënyrën më të mirë. Jemi duke punuar mirë së bashku. Kemi nisur një udhëtim, por jemi vetëm në fillim të tij.
Gjithmonë kam besuar te djemtë e mi. Përpiqemi çdo ndeshje ta fitojmë, por e thashë që është fillimi. Jemi si ata që sapo kanë nisur të gërmojnë një pus për të marrë ujë. Duam të gjejmë burimin, por është akoma larg dhe është e nevojshme të punojmë shumë më tepër.
E dimë që ende mund të përmirësohemi. Kundërshtarët janë gjithmonë të përgatitur dhe ne nuk mund ta ndryshojmë sjelljen tonë. Mund të ketë lëvizje në formacion, por vendosim pas seancës së fundit stërvitore. Jemi të rinj dhe nuk kemi fituar asgjë, ndaj të ulim kokën e të punojmë”, mbyll Pioli. /abcnews.al