Stefano Pioli, trajneri i Milanit, ka dalë para mediave ditën e sotme dhe ka folur për ndeshjen e radhës kundër Spal. “Duhet të shoh lojtarë të zemëruar. Jemi realistë, ky për ne nuk është një moment i mirë. Duhet të përmirësohemi sa më shpejt në renditje. Nuk jemi ata të së dielës së shkuar”, u shpreh fillimisht trajneri italian i kuqezinjve.
Më tej ai shkoi: “Nuk mendoj për diferencën me Spal, por vetëm si të vendos në fushë skuadrën më të mirë. Duhet një grup që të luftojë, të jetë i motivuar, me krenarinë dhe frymën e duhur. Dua të shoh një ekip që të jetë më i mirë në aspektin e shpirtit luftarak dhe të vendosshmërisë për të fituar. Kemi shumë për të bërë, jemi ekip i ri dhe përpiqem t’u qëndroj pranë djemve”.
Mes të tjerave Pioli foli është për zgjedhjet e tij në formacion: “Piatek apo Leao? Kanë karakteristika të ndryshme. Në Romë zgjodha Leao dhe prisja më shumë nga ai. Mund të luajnë edhe të dy së bashku. Më e rëndësishme është ana mentale. Suso? Cilësitë e tij janë të padiskutueshme dhe është e gabuar ta bëjmë përgjegjës për këtë moment që po kalojmë. Të gjithë duhet të japin diçka më shumë.
“Bennacer? Është edhe Bonaventura, kam disa zgjedhje. Besoj se do të ndryshoj diçka në krahasim me ndeshjen e fundit. Ndaj Spal duhet të jemi të kthjellët dhe të kërkojmë të luajmë thjesht. Skuadra është e re, por ka personalitet. Duhet të përfitojmë ndaj kundërshtarëve përmes lojës dhe pastaj është e qartë që vijnë edhe rezultatet”, shprehet Pioli. /abcnews.al