Statistikat “janë” me Francën, “Gjelat” kanë fituar më shumë nëpër Evropiane  

schedule15:36 - 9 Korrik, 2024

schedule 15:36 - 9 Korrik, 2024

Parashikimet dhe historia nuk janë në një mendje.

Sipas kompanive të basteve është Spanja favorite për të arritur finalen në këtë Evropian, edhe pse fare pak, ndërsa tradita në fazat finale të turneve të mëdhenj ka qenë në krahun e kundërt, teksa Franca vazhdimisht ia ka dalë nëpër Kampionatet Evropiane, madje edhe në një përballje në Kupën e Botës.

Gjithçka nisi në finalen e Euro 1984 në stadiumin “Parc des Princes” të Parisit, kur francezët ia dolën 2-0 pas gabimit të portierit Luis Arconada, ku shënuan Michel Platini me penallti dhe pastaj Bruno Bellone me kundërsulm.

Kaluan 12 vjet dhe dy ekipet u përballën në fazën e grupeve në Euro 1996 në Angli, një duel që përfundoi në barazim 1-1, ku shënues të golave ishin Youri Djorkaeff për “Gjelat” dhe Jose Luis Caminero për spanjollët.

Në Euro 2000, një Francë eksperte dhe kampione e botës mposhti “Iberikët”, 2 me 1 në çerekfinale për të shkuar drejt titullit të dytë kontinental, me “yjet” Zinedine Zidane dhe Djorkaeff, që përmbysën golin e shënuar me penallti nga Gaizka Mendieta.

Franca triumfoi edhe në ndeshjen e vetme në një fazë finale të Kupës së Botës.

Në Gjermani në 2006, dy ekipet u ndeshën sërish në çerekfinale dhe “Gjelat” ia dolën 3-1 pas rrjetave nga Ribery, Vieira e Zidane, për të humbur vetëm pas penalltive finalen ndaj Italisë në Berlin.

Në favor të Spanjës është përballja e fundit, në Euro 2012. Ishte përsëri një ndeshje çerekfinale, luajtur në stadiumin e “Donbass Arena”, të Donjetskut, ku heroi ishte trajneri i sotëm i Leverkusen, Xabi Alonso, i cili shënoi të dy golat, në fitoren 2-0.

Megjithatë, në total, Spanja ka bilanc më të mirë me 16 fitore ndaj 13 të Francës e me 7 ndeshje që kanë përfunduar barazim. /i.m /abcnews.al