Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha dhe sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica kanë zënë vend në formacionin më të mirë të javës nga ndeshjet e raundit të shtatë kualifikues për Euro 2024.
Këtë javë u luajtën ndeshjen e shtata të grupeve për kualifikim në Euro 2024, ku Kosova fitoi 3-0 në transfertë te Andorra dhe Shqipëria mposhti gjithashtu 3-0 në shtëpi Çekinë.
Lojtari më i vlerësuar i Dardanëve në këtë ndeshje ishte sulmuesi Rashica, i cili shënoi dy gola, ndërsa te kuqezinjtë u vlerësua portieri Berisha, i cili mbajti portën e paprekur.
Faqja e njohur e statistikave “SofaScore” ka publikuar formacionin më të mirë të javës dhe këta dy futbollistë shqiptarë janë pjesë e tij.
Rashica gjithashtu është lojtari me notën më të lartë, 9.8. Pjesë e formacionit janë edhe yje si Bruno Fernandes dhe Kylian Mbappe.
“Raundi i 7 i kualifikimeve të EURO 2024 është pas nesh, dhe kjo është 11-shja jonë më e vlerësuar!
Turqia është e vetmja skuadër që ka dy lojtarë në 11-tën tonë, ndërsa Milot Rashica është lojtari ynë i javës”, ka shkruar “SofaScore” në postimin e tyre./ h.ll/abcnews.al
Formacioni i raundit të shtatë kualifikues
View this post on Instagram