Sulejman Starova, pjesë e pandarë e skuadrës së Pressing në ABC News, e ka nisur analizën e tij me kryendeshjen e javës së 32-të në Superiore, ajo mes Tiranës dhe Kukësit, që u fitua nga verilindorët me rezultatin 1-2.
“Kukësi ishte përgatitur për të kapur finalen e Kupës, është e sigurt që do të marrë pjesë në Europë dhe ka vetëm një objektiv: Të kapin Tiranën. Ndërsa Tiranës, do t’i leverdiste edhe barazimi, por ndodhi e kundërta. Atë që thanë në deklarata, nuk e treguan në fushë. Vuajtën mungesën e Bathës dhe Dokës, sidomos e Bathës, pasi mesfusha sot ishte skandaloze.
Mund të ketë ndikuar dhe ajo ndeshje në Ballsh, por gjithë klubi i Tiranës ka një sfidë përpara për të dalë kampion. E dinin shumë mirë që Kukësi vinte për fitore. Tirana në pjesën e parë nuk shkoi asnjëherë në portë, përveçse kur pretendoi për penallti. E vetmja gjë e bukur e Tiranës në 90 minuta ishte ai rast i Ngoo. Kur u duk se Tirana do të kthehej për mirë, u sfumua. Kukësi më pak shënoi dy gola kundër një Tirane që e fëlliqi dhe me lojë”, u shpreh Starova./abcnews.al