Nga Lorenc Vangjeli
Vendimi për Tahirin la të pakënaqur puritanët e jurisprudencës. Konflikti i hershëm i ish-ministrit me një nga antarët e trupës, ashpërsimi i dënimit të dhënë nga gjykata e një shkalle më të ulët tek gjykata e një shkalle më të lartë, mund të jenë shkaqe të mjaftueshme për të provuar daljën nga burgu me ndihmën e rekursit në Gjykatën e Lartë. Por pafajësia është tjetër gjë nga liria dhe kjo nuk mjafton.
Tahiri është shpallur fajtor më shumë se mbi bazën e provave, për perceptimin që e konsideron atë gjerësisht si të fajshëm. Dhe ky është realiteti paralel për të cilin ankohen kritikët dhe shkumëzojnë cinikët në raport me procesin.
Duke marrë dy skaje shumë të largëta arsyetimi dhe personazhesh, një shembull i përsëritur deri në mërzi, është ai i Al Kapones të dënuar për evazion fiskal. Ish-ministri shqiptar dhe banditi amerikan janë shumë larg njëri-tjetrit, por teknologjia e dënimeve të tyre është e njëjtë. Për më shumë se kaq, më shumë se për atë që bëri kur ishte ministër, Tahiri u ndëshkua se nuk “fshehu” dot atë që po bënte kur u largua nga detyra.
Fajësinë e tij ai e firmosi me ikje më shumë se me prani. Përtej të dy palëve, atyre që besojnë dhe atyre që kundërshtojnë dënimin e tij, Tahiri është i qartë se çfarë ka bërë. Dënimi i të premtes ishte vetëm epilogu i tretë i një dënimi të dyfishtë që ai kishte marrë më herët, dënim moral dhe politik.
Përtej fatit të individit, drejtësia e sotme vendosi një standart. Dhe me standartin që çoi në burg Tahirin, të paktën dy personazhe shumë të rëndësishëm në Tiranë, duhet të fillojnë të bëjnë gati cigaret e tyre.
Në mes të morisë së halleve të tij, Doktor Berisha, që nuk e ka pirë kurrë cigaren, duhet të mësohet me vesin e tymit. Vetëm për atë që ka pranuar se ka bërë me Lazaratin, mund të dënohet minimumi me 3 vjet e 4 muaj burg. Nuk ka nevojë për proces të gjatë. E ka pranuar fajësinë e tij dhe me krenari madje: e dija që mbillnin, por e lejoja për arsye politike.
Lulzim Basha gjithashtu duhet të bëjë llogari me markën e shampos së flokëve sepse ka qenë ministër i brendshëm kur Lazarati bëhej markë e të ligës nga Shqipëria në Evropë. Minimalisht, cilido gjykatës me standartin që dënoi Tahirin, do të firmoste edhe për të për 3 vjet e 4 muaj heqje lirie.
Mënyra sesi Tahirit i kyçën derën e qelisë, tregon se shumica dërmuese e vendimmarrësve politikë në Tiranë, do të duhej t’i shkonin shpejt nga pas për t’i bërë shoqëri. Dhe ky nuk do të ishte medomosdo një lajm i keq.
Përkundrazi!
Saimir Tahiri po paguan për të gjithë. Eshtë kali që po shin një lëmë mbarë kombëtar, është kurbani që ju bë mëkatit që kishte më shumë se një autor, është burri që i dha atësi juridike një fëmije, që sot të gjithë e quajnë k…pil; në Tiranë vetëm suksesit i dalin për zot të gjithë, dështimi është gjithmonë dhuratë për tjetrin, kushdo qoftë! /abcnews.al