Stafi i kompanisë Lufthansa nis sërish grevën për pagat. Si do të ndikohen udhëtarët

schedule09:28 - 20 Shkurt, 2024

schedule 09:28 - 20 Shkurt, 2024

Stafi tokësor i kompanisë “Lufthansa” ka hyrë në grevë për herë të dytë këtë muaj. Si pasojë do të kryhen vetëm 20 për qind të fluturimeve të planifikuara. Greva do të zgjasë deri në orët e para të së mërkurës teksa priten të preken më shume se 100 mijë pasagjerë.

Qendrat më të mëdha të Gjermanisë për sa i përket vëllimit të pasagjerëve, Frankfurti dhe Mynihu, janë goditur më rëndë. Megjithatë edhe aeroportet e Hamburgut, Berlinit dhe Dyseldorfit po ashtu janë prekur.

Greva do të përfundojë të mërkurën në orën 07:10, por trafiku nuk pritet të “normalizohet” para të premtes.

Sindikata Verdi kërkon një rritje 12.5% të pagave për punonjësit, ose të paktën 500 euro më shumë në muaj, për një periudhë 12-mujore. Sindikata kërkon gjithashtu një pagesë të përgjithshme prej 3000 € për të kompensuar efektet e inflacionit.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, është goditur nga një sërë grevash mbarëkombëtare që prekin udhëtimet ajrore, hekurudhat dhe transportin publik, pasi punëtorët të përballur me inflacion të lartë kërkojnë paga më të mëdha.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!