Gianni De Biasi pritet të zyrtarizohet si trajneri i Azerbajxhanit. Një ditë më parë pati një bisedë të trajnerit italian me Komitetin Ekzekutiv të federatës azerbajxhanase të futbollit, ndërkohë që në deklaratën e lëshuar raportohej se duhej menduar mirë për një ndalim të mundshëm të futbollit prej pandemisë.
Gjithsesi në Itali raportojnë se De Biasi, i cili bëri historinë me Shqipërinë duke e çuar në EURO 2016, ka nënshkruar një kontratë që do të jetë e vlefshme për dy vite, pra deri në vitin 2022. Federata Azerbajxhanase e Futbollit ende nuk ka dalë me komunikatë.
Sa i takon stafit, Arif Asadov u zbulua që dje që do të jetë pjesë e stafit të trajnerit italian. Ndërkohë nga Italia ai do të marrë edhe dy anëtarë të tjerë të stafit, Benny Carbone dhe Claudio Bellucci. /abcnews.al