Milani dhe Interi duan një stadium të ri dhe para pak kohësh janë prezantuar edhe dy projektet. Sigurisht, që bëhet fjalë për një projekt gjigant që nuk përfshin vetëm stadiumin. E gjitha zona përreth stadiumit “San Siro” do të rimodelohet dhe për këtë pjesë nuk është se të gjithë janë dakord.
Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, ka folur së fundmi gjatë një aktiviteti: “Duhet të punojmë me të dyja klubet që të arrijmë të kuptojmë si mund të arrijmë një marrëveshje, duke marrë parasysh nevojat tona dhe të atyre. Është e qartë për të gjithë që hapësira e kërkuar prej tyre për të ndërtuar është shumë e madhe, e tepërt. Gjithsesi ne duam të gjejmë një zgjidhje me klubet”.
Nga ana tjetër Serie A ka propozuar që San Sito të shpallet si një objekt që të mbrohet nga UNESCO. “Një propozim i tillë nuk ndihmon aspak tani, pasi jemi në fazën që po diskutohet për anën teknike të ndërtimit të një stadiumi të ri.
Unë besoj se qyteti nuk po hedh mundësinë e ndërtimit të një stadiumi të ri, por është e nevojshme të gjendet zgjidhja e duhur në aspektin financiar dhe në lidhje me çfarë do ndërtohet”, ka përfunduar Beppe Sala prononcimin e tij për mediat në Itali. /abcnews.al