Sri Lanka, verifikohet tjetër sulm

schedule18:00 - 22 Prill, 2019

schedule 18:00 - 22 Prill, 2019

Sri Lanka nuk ka gjetur paqe. Një ditë pas atentateve të njëpasnjëshme me qindra viktima, një tjetër shpërthim ka ndodhur në kryeqytetin Kolombo. Gjatë operacioneve speciale, policia vendase ka gjetur 87 detonatorë të braktisur.

Vetëm një ditë pas shpërthimeve të shumëfishta që vranë mbi 290 persona dhe plagosën qindra të tjerë, një tjetër bombë ka shpërthyer në Sri Lanka.

Këtë herë bomba ishte vendosur në një furgon në afërsi të një kishe dhe shpërtheu teksa specialistë të policisë po përpiqeshin ta çaktivizonin. Shpërthimi ndodhi në një nga zonat e kryeqytetit Kolombo ku ndodhën atentatet e së dielës.

Furgoni shpërtheu kur një skuadër policie po përpiqej ta çaktivizonte bombën”, ka treguar një dëshmitar, i cituar nga mediat ndërkombëtare.

Më herët gjatë ditës, policia në Sri Lanka rekuperoi 87 detonatorë eksplozivi me fuqi të ulët, të braktisur në një autobus privat në lokalitetin Petah.

Pas sulmeve terroriste të së dielës, qeveria vendase ka bllokuar aksesin në rrjetet sociale dhe ueb sajtet e shkëmbimit të mesazheve, përfshirë Facebook dhe WhatsApp, duke vështirësuar komunikimin.

Nga mesnata mes së dielës dhe së hënës, autoritetet kanë shpallur situatë emergjente, që do të ketë si qëllim goditjen e terrorizmit dhe jo kufizimin e lirisë së shprehjes.

Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve, por një milici vendase dyshohet se fshihet prapa tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!