Nga Ema Shazivari
Dhimbjet e shpinës nuk shkaktohen vetëm nga qëndrimi i keq. Spondiliti ankilozant, është një sëmundje e kockave, që simptomë kryesore ka pikërisht këtë dhimbje, dhe përhapjen më të madhe e ka tek djemtë në moshë të re. Mjekët bëjnë apel për vizita, nëse dhimbja e shpinës zgjat më shumë se një muaj. Ekzaminimi në kohë është mënyra më e mirë për të shmangur pasoja që arrijnë deri në ivaliditet.
Spondiliti ankilozant është një sëmundje reumatizmale e cila është më e përhapur tek djemtë në moshë të re. Shpesh simptomat që shfaq në fazat e hershme, neglizhohen nga pacientët duke sjellë agravim të sëmundjes. Mjekja reumatologe e spitalit Hygeia Blerina Dhamo tregon se cilat janë simptomat të cilat shfaq kjo sëmundje në fazë të hershme.
“Pacientët vijnë ankohen për një dhimbje shpine e cila është bezdisëse, rënduese dhe e lokalizuar në regjonin e mesit dhe fundshpinës. Dhimbja është dominante kryesisht në mëngjes, kur çohen nga krevati, dhe kanë një ngurtësim ose vështirësi në lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore. Këta pacientë kanë një dhimbje të madhe edhe kur duhet të çohen nga karrigia, pas një periudhe të gjatë ulur ”
Mjekja flet për rëndësinë e diagnostikimit në kohë të sëmundjes.
“Nëse sëmundja nuk arrin të kapet në kohë dhe nuk mjekohet, fillojnë të shfaqen edhe shenja të tjera. Inflamacioni nuk prek më vetëm shtyllën kurrizore, por fillon të shtrihet në të gjithë gjatësinë e saj duke dhënë dhe deformime të saj. Pjesa e mesit e shtyllës kurrizore që të gjithë e kemi të lugët fillon drejtohet, ndërkohë që kurrizi theksohet shumë. Kur sëmundja prek kyçet periferike, dhe sidomos kur prek kyçin e kockës, ulet shumë cilësia e jetës së pacientit, dhe sidomos rritet mundësia për invaliditet që kjo sëmundje shkakton.”
Nëse keni dhimbje të fundshpinës e cila zgjat më shumë se 1 muaj, është shumë e rëndësishme ti drejtoheni mjekut reumatolog. Krahas protokollit që ndiqet për pacientët e prekur, këshillohet shumë noti si edhe seancat e fizioterapisë.
/Abcnews.al/