Spiuni i diktaturës dhe raporti: Enverin dhe Mehmetin nuk do t’i zinin 24 orët

schedule08:20 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 08:20 - 7 Dhjetor, 2021

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij.

Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Qemal Hysenaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Marena”, lidhur me bisedat që bënin të internuarit në Ishullin e Zvërencit

   Fier më 16/VI/1959                                                    Marrë nga N/Kolonel Qemal Hysenaj

                                                                                             Dhënë nga B.p. “Morena”

                                                                   R A P O R T

Më datën 12 Korrik 1959, Amali Dishnica shkoi në Zvërnec për t’u takuar me burrin e saj Pëllumb Dishnicën. Kur u kthye prej andej, ndër të tjera ajo më tha si më poshtë:

Xhavit Qesja, më tregoi me hollësi për vajtjen e nënës së tij në Zvërnec, se si ata (prindët e Xhavitit) ju gjendën mbas 15 vitesh braktisje, që ai ju kishte bërë. E ëma i kish thënë Xhavitit, se në shtëpinë që po bëjmë në Durrës, pjesën më të bukur do t’ja ruajmë Xhavitit.

Xhaviti thotë Amalia, më tregoi dy raste të sjelljes së ashpër të tij me familjen dhe se sa i penduar është tani që ka luftuar aq shumë babanë e tij, vetëm për arsye se ka qenë pasanik dhe për asgjë tjetër, pas i ati kish pas ndihmuar shumë Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Rasti i parë ishte telegrami që familja ja kishte bërë me rastin e vdekjes së motrës dhe ky ja ka marrë Tonin Jakovës nga dora, kur ai po bisedonte me shokët e byrosë se si t’ja bënin, dhe pasi e lexova, tha e vura me një anë dhe vazhdova punën.

Rasti i dytë ishte kur i kish ardhur telegram i vdekjes së babait, nga Shqipëria në Moskë. Isha, thotë Xhaviti, i shtruar në spital nga zemra dhe me gjithë se infermieret atje kuptuan se mos mua do të më dëmtonte ky telegram, ma dhanë me frikë të madhe. Unë e mora e lexova dhe e lash aty pa bërë asnjë gjest. Ata të spitalit kujtuan se mos unë i humba ndjenjat, por kur më pyeti infermierja, i thashë se kështu jam, më janë ftohur ndjenjat kundrejt familjes, por tash, kish thënë Xhaviti, familja m’u ndodh këtu, e as kush tjetër.

                                                                                                 “MORENA”

 Vërtetohet se është një me origjinalin që ndodhet në dosjen e Amali Dishnicës.

             Punëtori Operativ

         Kapiten (KOLI SOLLAKU)

Tiranë më 24/8/1959

Plani i masave agjenturiale të Sigurimit të Shtetit për ndjekjen e survejimin e Xhavit Qeses në vitin 1959, kur ai ishte në funksionin e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit

                                                                     P L A N

 I MASAVE AGJENTURIALE–OPERATIVE PËR PËRPUNIMIN E XHAVIT QESES II/A

                   SITUATA OPERATIVE:

  • Xhavit Qesja, është vënë në përpunim 2/A më 15/11/1957, si element anti parti, për arsye se ka pëshpëritur kundër vijës së Partisë dhe udhëheqjes së saj.

Duke vepruar në kundërshtim me vijën e Partisë ai ka komentuar dhe folur se qëndrimi i Partisë tonë në lidhje me marrëdhëniet tona me Jugosllavinë nuk janë të drejta, pasi udhëheqja e Partisë tonë duhet të analizojë gabimet që ka në lidhje me Jugosllavinë dhe të bëjë kthesën. Po kështu, ai nuk quan të drejtë qëndrimin e Partisë tonë edhe në lidhje me deklaratat e bëra në shtyp për çështjen e Polonisë dhe Partisë Komuniste revizioniste të Jugosllavisë dhe tjera.

Për të gjitha këto pikëpamje i përmenduri u thirr dhe u këshillua nga Komiteti Qendror i Partisë tonë, për se ai akoma qëndron në të njëjtat pozita armiqësore kundër vijës së Partisë, duke biseduar dhe komentuar kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj, më elementë të tjerë anti-parti dhe të sëmurë. U jep të drejtë elementëve armiq, si Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës. Nuk e quan të drejtë masat e marra kundër tyre dhe Dali Ndreut e Liri Gegës. Këtë i quan terror, që gjoja Partia jonë e bën kundër njerëzve që nuk kanë faj etj.

  • QËLLIMI I PËRPUNIMIT:
  1. Të zbulojmë dhe të vërtetojmë aktivitetin e tij anti-parti dhe armiqësor që zhvillon dhe do të zhvillojë. Rrethin shoqëror ose miqësitë ku e zhvillon këtë aktivitet, burimi se ku mbështetet për glorifikimin e këtij aktiviteti.
  2. Të zbulojmë lidhjet e tija me elementë të tjerë anti-parti dhe armiq që ushtrojnë aktivitet kundër revolucionar dhe anti-pushtet, qofshin këto në Qarkun tonë, ose në qarqet e rrethet e tjera si dhe mënyrën e lidhjeve të tyre.
  • MASAT OPERATIVE QË DO TË MERREN:

1. Të studiohet rrethi i tij shoqëror që ka krijuar në qytetin e Elbasanit dhe nga radhët e tyre të zgjidhet një kandidat i fortë për ta rekrutuar në drejtim të tij, me qëllim që të kontrollohet me agjenturë paralele, për të vërtetuar të dhënat në drejtim të tij. Për këtë të zgjidhet Angji Faber.

Ngarkohet ta kryej kapiten Avni Mehmeti, në bashkëpunim me udhëheqjen e Drejtorisë deri më datën 30.1.1958.

2. Të drejtohen bashkëpunëtorët “Skëndi” dhe “Pëllumbi”, për të vërtetuar nëse Xhaviti bisedon me Agron  Frashërin dhe me një sërë personash të tjerë. Gjithashtu të vërtetojnë me anë të tyre lidhjet dhe qëllimin e këtyre lidhjeve, bisedoj ose jo, përkundër Partisë dhe çfarë bisedojnë konkretisht.

Ngarkohet ta kryej kapiten Avni Mehmeti, deri më datën 25.3.1958.

3.  Të grumbullohen të dhëna dhe material mbi negativitetin e punës së tij n’organizimin dhe drejtimin e sektorit që ai drejton dhe për këtë të vihet në dijeni sekretari i parë i Partisë së Qarkut.

Ngarkohet ta kryej kapiten Avni Mehmeti deri më datën 30.3.1958.

4.  Të vihet nën kontroll të rregullt korrespodenca e tij postare me qëllim që të zbulojmë dhe të vërtetojmë lidhjet e tij me element anti-parti dhe armiq që mund të ketë ose të krijoj ose në rrethet e qarqet e tjera.

Ngarkohet ta kryej kapiten Avni Mehmeti, vazhdimisht.

5.  Të behet survejimi i tij sa herë që do të largohet nga Elbasani për në Tiranë dhe në qytete të tjera, me qëllim që të kontrollojmë lëvizjet dhe lidhjet e tija që mund të ketë në qytetet të tjera.

Ngarkohet ta kryej kapiten Avni Mehmeti, vazhdimisht.

6.  Të bisedohet me sekretarin e parë të Komitetit Qarkor, që të mos e dërgojmë më me shërbim në rrethin e Librazhdit, pasi është zonë kufitare dhe ka rrezik që të arratiset për në Jugosllavi.

Ngarkohet kapiten Avni Mehmeti në bashkëpunim me udhëheqjen deri në….?

                        Shefi i Seksionit të II-të

                        Kapiten Avni Mehmeti

Relacioni i Sigurimit të Shtetit për intensifikimi e ndjekjes, survejimit dhe përgjimit të Xhavit Qeses në rrethin e Elbasanit, ku ai ishte nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv

RELACION MBI VËNIEN NË PËRPUNIM AKTIV NË 2/A XHAVIT QESEN SI ELEMENT ANTIPARTI

Sekretari i Komitetit Qendror e thirri Xhavitin nga shkolla e Marksizmit në Moskë për ta këshilluar për disa gabime dhe shfaqje anti-parti të tijat dhe për këtë vendosi të marrë masa për ta larguar nga studimet dhe ta dërgojë në Elbasan si Nën/Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut.

Xhaviti gjatë kohës që ka qenë në Bashkimin Sovjetik dhe sidomos pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Konferencës së partisë së qytetit të Tiranës, filloi të shfaqë pikëpamjet e tija anti-parti duke e quajtur qëndrimin e Partisë sonë të Punës, jo të drejtë, në lidhje me Jugosllavinë dhe Poloninë, si dhe një sërë pëshpëritje të tjera për udhëheqjen e Partisë, anëtarët dhe kandidatët të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Për këto gabime i përmenduri u thirr nga Moska në Komitetin Qendror të PPSH-së ku ju vunë në dukje këto gabime, duke marrë dhe masën e përmendur më lart.

Gjatë kohës që Xhaviti ka ardhur në qytetin e Elbasanit, qëndrimi i tij nuk ka qenë i mirë, detyrën e ngarkuar ai nuk e ka kryer mirë dhe mban një qëndrim menefregist, duke dhënë urdhra dhe udhëzime qesharake ose me tallje, i pëlqen të merret më tepër me llogje, duke treguar barsoleta, se sa me problemet njerëzor që ka në sektorin e punës, shpesh herë, në kërkimin e llogarisë paraqitet me fjalë hipokrite se sa serioz. Kohët e fundit, ai ka filluar të flasë dhe të propagandojë kundër Partisë dhe vijës së saj duke thënë se në vijën e Partisë tonë ka gabime, por këto gabime nuk njihen nga udhëheqja e saj, pasi udhëheqja tonë ka frikë se humbet postet që ka.

“Qëndrimi i Partisë sonë’, thotë ai, ‘mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë, nuk është i drejtë, pasi Partia jonë ka mjaft gabime në këtë drejtim, të cilat duhet t’i analizojë dhe t’i njohë, para jugosllavëve, nuk duhet të dëgjohet kambana jonë, por edhe e jugosllavëve. Partia tonë kritikon jugosllavin në lidhje me kundër-revolucionin hungarez, por ajo nuk është ashtu si thotë shtypi jonë, gabimet e udhëheqjes së Partisë Punës Hungareze, e shpunë popullin në këtë gjendje. Partia ka gabim’, thotë ai, ‘dhe këto janë jo më pak se ato në kohën e Koçit”.

“Kjo faktohet’, thotë ai, ‘me arrestimet dhe masat e shumta kundër personave që nuk janë armiq, si p.sh. masat kundër Tukut, Bedriut, etj., persona që kanë kritikuar gabimet tona. Dënimi i Daliut dhe i Lirisë, si njerëz agjentë të një shteti të huaj, është akuzë për të kundërshtuar Jugosllavinë. Të gjithë këta, thotë ai, u dënuan sepse guxuan të thonin të vërtetën dhe jo se kanë gabime”.

“Për çështjen polake’ thotë ai, ‘Partia jonë nuk mban qëndrim të drejtë, në Sekretariat’ thotë, ai ‘më thonë se Gomulka është buharinist dhe jo në pozita të shëndosha si marksist, ndërsa në “Pravda”, thuhet ndryshe, ata, vazhdon me thanë, se ti duhet të veprosh ashtu si thotë “Zëri i Popullit: dhe jo ndryshe. Kjo erdhi pasi unë u thashë që këtu mendimet e mija i kam pasur nga “Pravda”. Lidhur me këtë, ai shprehet duke thënë se: “Principialiteti është çështja kryesore ku duhet të mbështet Partia dhe çdo anëtar i saj për të qenë konsekuent në rrugën e tyre dhe jo të nisen vetëm nga interesat, thjeshtë personale, për çështje pozite dhe karriere”.

“Jugosllavia, thotë ai, ‘është vend socialist që udhëhiqet nga parimet marksiste-leniniste, ajo bën politikë të pavarur dhe kjo u faktua me konsultën e Partive të vendeve socialiste, ku jugosllavët nuk murrën pjesë në këtë konsultë. Që të kuptosh gjendjen, në Jugosllavi, mjafton vetëm fakti që populli qëndron i lidhur me Partinë dhe me qeverinë, megjithëse nga Stalini u tha se gjendja së shpejti do të ndryshojë në Jugosllavi dhe shumë të tjerë nuk lanë asgjë pa thënë, për udhëheqjen Jugosllave.

Sikur Stalini të thoshte diçka kundër Enverit dhe Mehmetit, këta nuk do t’i zinin 24 orët. Në Jugosllavi ndodhet socializmi pa burokraci”.

“Tek ne, në një anë flitet për përmirësimin e marrëdhënieve  dhe nga ana tjetër, pushkatojmë Daliun dhe Lirinë, si spiunë të jugosllavëve, çfarë bënë në fund të fundit ata, mos vallë nuk kishin dhënë aq kontribut sa të mos ekzekutoheshin, mos vallë dha më shumë Et’hem Çakua që ka qenë kriminel me damkë”!

“Në vendin tonë nuk ka gjë tjetër, veçse deklarata e fjalime, shprehje në formë parullash, gjithçka është e bërë parullë. Tek ne nuk thuhet e vërteta, nuk thellohen dhe nuk bëhen analiza të gjërave”.

Në lidhje me ndërtimet e ndryshme industrial, në vendin tonë, nuk e quan të drejtë vijën e Partisë dhe thotë p.sh. se: çe duam ne Hidrocentralin “Enver”, që shpenzon me miliona lek, apo për t’u dukur?! Ne kemi qenë në gjendje që me anën e motorëve ekzistues të përballonim nevojën për energji elektrike”.

Në një rast tjetër ai është shprehur, se ministrat bëjnë jetë gratis në plazhin e Durrësit, ndërsa ne nuk shkojmë dot as me paratë tona se nuk na del hesapi. Ka thënë se shokut Beqir, i është rritur mëndja dhe nuk shikon me sy të tjerët. Ka thënë se në Radio, reklamohen penicilina, kurse populli bëhet copë dhe nuk mere dot një flakon.

Vihet re që Xhaviti ka krijuar shoqëri të ngushtë me një sërë elementësh të sëmurë dhe pikëpamjesh anti-parti, siç janë Agron Frashëri, Angji Faber, Nazim Batalli, Aleko Kolaci, dhe Xhevdet Petrela, etj.

Duke u nisur nga faktet që Xhavit Qesja është njeri me pikëpamjet anti-parti dhe revizionist, gjë kjo që vërtetohet nga të dhënat agjenturiale të përmbledhura si më lart, si edhe kontaktet të shpeshta me elementët antiparti, si Agron Frashëri, si dhe me elementë të sëmurë që gjenden një pozita të tilla. Ne vendosëm dhe e muarrëm në përpunim aktiv, duke e karakterizuar në 2/A. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!