Prej vitesh vendtakimi për Asmien dhe Kadifen është shërbimi i hemodializës, në QSUT. 3 herë në javë për 4 orë, ato i nënshtrohen procesit të dializës, e cila bën të mundur pastrimin e gjakut dhe heqjen e peshës së tepërt që ka fituar trupi.
Asmie Beqiraj nga Vlora prej më shumë se 1 dekade i nënshtrohet dializës në QSUT. Që në vogëli, 59 vjeçaria tregon se ka pasur probleme me funksionimin e veshkave.
“Unë jam me dializë, kam 12 vite. Kam qenë me probleme me veshkat që e vogël, jam operuar njëjerë. Pastaj në 46 vjeç filluan problemet. Jam këtu ku jam sot. Kam qenë 9 vjeç kur kisha gurë në veshka. I hoqa dhe nuk u vizitova më, por kisha në anën tjetër. Kisha edhe një onfeksion urinar që mora antibiotik si gjithë shqiptarët pa recetë mjeku, edhe si duket gjetëm pikën më të dobët që ishte veshka.”
Ndryshe nga Asmia, Kadife Leka nga Tirana ka 5 vite që kryen Dializë, dhe krahas kësaj sëmundje, 74 vjeçarja është përballur edhe me sëmundje të tjera, probleme që i kanë nisur që në moshën 40 vjeçare.
“Kam 5 vite që bëj dializë. 3 herë në javë. Kam vuajtur shumë me sëmundjet, jam operuar në zemër, hoqa tëmthin, kam operuar shpinën. Më shumë spitaleve kam ngelur”.
Këta pacientë, përveç dializës, duhet të marrin edhe terapi me ilaçe si dhe duhet të kenë kujdes me dietën e tyre, duke ua bërë rutinën ditore akoma më të vështirë. Me plotë kuptimin e fjalës ata thonë se spitali është kthyer në shtëpi të parë, pa të cilën nuk do të kishin jetë.
“Ne spitaleve mund t’ju themi shtëpi e parë, jo i dytë. Po mos të vijm këtu na helmohet gjaku. Kjo është e mira ime se nuk kam diagnozë tjetër.”
“Ndjej trupin të lodhur, dializa shumë e vështirë, dializa qenka jeta….Duhet të vish se është jeta spitali, vij si me qenë duke ardh në punë, 3 herë më javë. Çfarea të bëj, në këtë moshë nëna duhet të rri në krevat…”
Problemet e veshkave po vijnë gjithnjë në rritje nga viti në vit, dhe sipas specialistëve sëmundjet që prekin këto organe rrezikojnë të kthehen në pandemi. Specialistët thonë se 1 në 10 persona kanë probleme me veshkat, shqetësime që shkojnë deri në humbje të funksionit të tyre./abcnews.al