Spitali Amerikan ofron bursa për studentët e shkëlqyer, mjekja shpjegon hapat për të aplikuar

schedule09:30 - 26 Nëntor, 2021

schedule 09:30 - 26 Nëntor, 2021

Spitali Amerikan vjen me një risi për të gjithë studentët ekselentë të mjekësisë si një dritare shprese për ndalimin e largimit të mjekëve nga vendi i tyre, duke u ofruar kushte për aftësim dhe karrierë profesionale në vendin e tyre. Të gjithë këta studentë do kenë mundësi të përfitojnë bursa që në vitet e para të studimit.

Aplikimi për përfitimin e bursave do të zgjasë deri në 31 Janar të vitit 2022 dhe është i hapur për të gjithë studentët e mjekësisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në studion e emisionit ABC-ja e Mëngjesit për të folur në lidhje me këtë projekt madhor ishte Dr. Shk. Lindita Shosha, Drejtoreshë e Strategjisë Akademike në Spitalin Amerikan, njëherazi  kirurge e përgjithshme/kolorektale pranë këtij spitali.

Ajo shpjegoi fazat përmes të cilave kalojnë studentët që nga intervista dhe testimi nga komisioni i përzgjedhjes së atyre që përfitojnë bursë, që përbëhet nga mjekë dhe profesorë të shquar në vendin tonë.

“Në Spitalin Amerikan kemi një axhendë të plotë aktiviteteve shkencore dhe në kongresin e fundit që ne kemi bërë bashkë me drejtuesit nisëm një projekt të ri për sponsorizimin e studentëve ekselentë të mjekësisë. Që në vitet e para që studentët vërtetë ta shijojnë të marrin diçka dhe të ndihem të vlerësuar. Bëhet një intervistë me secilin prej tyre. Testimi bëhet nga komisioni i zgjedhjes së bursave ku janë profesorë të shquar. Bëjmë bashkëbisedim interaktiv me studentët për përgatitjen e tyre, dëshirën, pikësynimet. Duhet të punojmë shumë që këtë brumë të shkëlqyer studentësh ta mbajmë brenda vendin. Duhet ta mbajnë fort këtë tru inteligjentë. Pa mjekun nuk mund të ketë mjekësi të mirë. Mund të kemi aparatura të mira por pa mjekë të mirë nuk kemi asgjë në vijë”, u shpreh Shosha.

Ajo shtoi se studentët që përfitojnë bursa pajisen me badge dhe angazhohen pranë Spitalit Amerikan. Dr. Shosha nënvizoi se pavarësisht pandemisë do të vijojnë përgatitjet për mbajtjen e kongresit të pestë në fund të vitit 2022, të domosdoshme edhe për trajnimin e mjekëve të rinj.

“Është një dëshirë e hershme e drejtuesve suporti për këtë brez mjekësh që punojnë.  Studentët kanë badge dhe kanë të drejtë të futen brenda strukturës spitalore. Pavarësisht pandemisë do bëjmë edhe kongresin e pestë. Do jetë në fund të vitit 2022. Janë evente të domosdoshme dhe me ligj. Ministria e Shëndetësisë kërkon çdo fundvit një axhendë se çfarë eventesh janë bërë”, tha mjekja.

Albana Mehmeti, Kordinatore e Drejtorisë së Edukimit në Vazhdim në Spitalin Amerikan, deklaroi se studentët nuk kanë asnjë detyrim ndaj spitalit, si për bursën dhe edukimin e vazhdueshëm që ofrohet nga Spitali Amerikan, duke vënë theksin se mjekësia është një shkencë në vazhdim që krijon nevojën për t’u përditësuar me të rejat e fundit.

“Studentët nuk kanë asnjë detyrim ndaj nesh, Spitali Amerikan ofron bursa dhe edukim të vazhdueshëm. Që të rinjtë të jenë gjithmonë të updatuar me të rejat e fundit. Mjekësia është një shkencë në vazhdim. Është një lloj ndihme për studentët ekselentë. Struktura garanton edukim të vazhdueshëm të një niveli ndërkombëtar. Vijnë elita e mjekësisë botërore në një prej eventeve më të mëdha në Shqipëri që e organizon vetëm Spitali Amerikan. Specializimet janë reale dhe do zgjedhin fushën ku duan të specializohen. Aplikimi për bursat është deri në 31 Janar 2022. Të gjithë studentët ekselentë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni mund të aplikojnë”, tha Mehmeti.

Por si e shohin studentët e mjekësisë këtë mundësi

Në studion e ABC-ja e Mëngjesit folën edhe studentët që kanë përfituar bursa. Një prej tyre thotë ende nuk e ka vendosur nëse do të qëndrojë në Shqipëri apo do të largohet jashtë vendit, pasi pavarësisht se tashmë i ka krahët “më të ngrohta” për një karrierë profesionale, mund të ketë diçka përtej këtij aspekti që do e shtynte për të marrë një vendim të tillë.

“Jam drejt përfundimit të nivelit B2 të gjermanishtes dhe kam mbyllur procedurën e gjuhës. Dëshira për të shkuar në Gjermani qëndron. Deri në momentin e fundit do jem në mëdyshje për të vendosur nëse do shkoj jashtë apo do të qëndroj në Shqipëri. Përtej pjesës së sitemit shëndetësor, siguria në jetë apo diçka tjetër që lidhet me pjesën tjetër sociale mund të ndikojë për një vendim për të ikur jashtë”, thotë ai.

Për një tjetër studente pengesë për qëndrimin në Shqipëri do të ishte koha e gjatë e specializimit në shtet, me një pagë minimale. Ajo shprehet se nëse arrin që specializimin ta bëjë pranë Spitalit Amerikan me një rrogë fikse do kishte një arsye për të mos e lënë vendin e saj.

“Dje gjatë takimit me drejtuesit e Spitalit Amerikan ata na ofruan një alternativë shumë të mirë. Ne kemi një rrogë shumë minimale nëse lidhim kontratë me shtetin për 4 vite specializim. Nëse Spitali Amerikan mund të na e bëjë specializimin me një rrogë, pse të mos qëndrojmë në vendin tonë. Këto janë kushtet që na bëjnë të largohemi”, shprehet ajo.

I të njëjtit mendimi është edhe një studente tjetër e cila shprehet se nëse krijohen mundësitë, hapësira më e mirë për të bërë karrierë do të ishte në vendin e saj.

“Në  momentin kur krijohen mundësitë kur ke pajisje, mjetet dhe mbi të gjitha dinjitetin tënd, mendoj që pse jo. Për karrierën mendoj se në Shqipëri mund të bësh karrierë sesa kur je një emigrant në vendin e huaj”, shton ajo.

Stafi i Spitalit Amerikan është i njohur me këtë dilemë të studentëve dhe është në pritje për të nisur specializimet në ambientet e tij. Dr. Lindita Shosha përmendi disa histori suksesi të operacioneve dhe ndërhyrjeve të ndryshme të kryera nga stafi i këtij spitali.

“Ne presim që të hapet rruga e specializimit në Spitalit Amerikan. Spitali ka strukturën më moderne në vend. Ka historinë e suksesit me mbi 220 transplante të veshkësh. 200 e ca pacientë do shkonin me çanta në kurriz rrugëve të botës. Në dijeninë time të gjitha rastet kanë kaluar mirë. Kemi qendrën më të mirë të syrit. Kemi kirurgë të shkëlqyer. Kemi një neokirurgji shumë të suksesshme. Dëshira është që këta studentë ekselentë të kenë një derë të hapur dhe një shtëpi të ngrohtë në vendin e tyre në Shqipëri. Këta mund të jenë pjesë e strukturës sonë. Duhet të investojmë sot për të nesërmen”, tha dr. Lindita Shosha. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!