Spiropali mesazh zyrtarit të PPE-së: Ftoj zotin Gahler të mos fyejë në emër të Lulzim Bashës

schedule13:53 - 31 Korrik, 2020

schedule 13:53 - 31 Korrik, 2020

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar duke iu përgjigjur zëdhënësit të Partive Popullore Evropiane, lidhur me kritikat që ai ngriti për votimin siç e quajti ai të njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese.

“Me këtë rast e ftoj modestisht zotin Gahler të mos fyejë në emër të Lulzim Bashës dhe si Lulzim Basha e partia e tij extra-parlamentare, as Parlamentin legjitim, as qeverinë e as opozitën parlamentare të Shqipërisë, e mbi të gjitha të mos e fyejë popullin shqiptar. I cili në shumicë dërrmuese kërkon hapjen e listave zgjedhore për të shprehur me votë preferencën jo vetëm për partinë, po edhe për kandidatët për deputetë”, shkruan Spiropali në rrjetin social “Facebook”.

Spiropali, i drejtohet Partisë Popullore Evropiane, duke i thënë se “Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel”.

Statusi:

Dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel. Parlamenti ynë ka shumicë dhe opozitë, ndërsa opozita me gjuhën e së cilës flet zotëria i nderuar, ka “djegur mandatet” si asnjë parti tjetër në historinë e PPE! Ajo nuk ka as monopolin e opozitës shqiptare, as ndonjë të drejtë hyjnore mbi Parlamentin e mbi qeverinë e Shqipërisë.

Me këtë rast e ftoj modestisht zotin Gahler të mos e fyejë në emër të Lulzim Bashës dhe si Lulzim Basha e partia e tij extra-parlamentare, as Parlamentin legjitim, as qeverinë e as opozitën parlamentare të Shqipërisë, e mbi të gjitha të mos e fyejë popullin shqiptar. I cili në shumicë dërrmuese kërkon hapjen e listave zgjedhore për të shprehur me votë preferencën jo vetëm për partinë, po edhe për kandidatët për deputetë.

Jam e bindur që zëdhënësi i PPE nuk ka aspak qëllimin të jetë fyes, por fatkeqësisht gjuha e tij është fyese. Nga ana tjetër, jam gjithashtu e bindur se zoti Gahler nuk e di që me ndryshimet kushtetuese, ne e kemi futur Shqipërinë në kornizën e botës së OSBE/ODHIR, ku asnjë vend nuk e ka formulën “Frankestein” të koalicioneve parazgjedhore që kishte Shqipëria deri dje. Ashtu siç jam e bindur se nëse ai do të gjykojë procesin dhe produktin e këtyre ndryshimeve, nuk do të jetë dot kaq i përputhur me Lulzim Bashën dhe pretendimet absurde të Partisë Demokratike.

Së fundi, dëshiroj t’i them zëdhënësit të PPE, se Shqipëria është shumë e vogël për përçarjen e madhe politike, për të cilën sigurisht ai nuk ka asnjë faj, po të cilën ai s’ka pse e ushqen me deklarata si e sotmja. Me siguri nëse ai do të kishte pyetur edhe përfaqësuesit e vendeve mike të Shqipërisë këtu në vendin tonë, të cilët e kanë ndjekur nga afër procesin, nuk do të kishte folur si Lulzim Basha duke nxitur përçarje, po do të kishte folur si ata, duke nxitur dialog e bashkëpunim për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për dialog gjithëpërfshirës, kështu që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në vend se të kacavirren pas pasqyrave dhe shajnë e mallkojnë me një gjuhë që s’ka asnjë lidhje me vlerat e me etikën e PPE, duke abuzuar me deklaratën e zotit Gahler, janë të mirëpritur të na bashkohen në çdo kohë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!