2 Korriku, Prishtina, Hajduk Split dhe Spezia. Karriera e Ardian Ismajlit ndodhen në rrugën e duhur. Mbrojtësi i fortë i kombëtares kuqezi, u transferua tek ekipi i Serie A vetën e kaluar, teksa zhvilloi ndeshjen e parë si titullar me ekipin e ri në duelin ndaj Interit në “San Siro”. Babai i 24-vjeçarit dardan, Ilmi Ismajli ka dhënë një rrëfim interesant për Specia1906.com, aty ku zbulon Ardianin përpara tifozëve të rinj dhe prek disa tema të ndryshme.
DEBUTIMI SI TITULLAR – “Të shikoja Ardianin duke luajtur në “San Siro“ ishte një emocion unik, ai dukej i mrekullueshëm. Jam shumë krenar për të, luajti një lojë të mirë dhe tregoi cilësitë e tij të mira. E kishte shumë të vështirë që të përshtatej me futbollin italian, sepse është shumë ndryshe nga futbolli kroat”.
ARDIANI – “Ai është një djalë që punon shumë dhe është shumë i motivuar. Ka një karakter të fortë dhe është një person me zemër të madhe. Talenti nuk i mungon dhe ka aftësinë për t’u përshtatur me çdo lloj kampionati. Besoj se Ardiani është 100% gati për të luajtur. Ai ka sakrifikuar shumë për të arritur këtu ku është. E di që ndihet i gatshëm për të dalë në fushë dhe për të dhënë më të mirën për këtë fanellë”.
SPEZIA – “Ai ka krijuar një marrëdhënie të shkëlqyeshme me trajnerin, shkon shumë mirë me të. Është shumë i lumtur dhe i kënaqur me marrëdhënien që ka krijuar me shokët e tij të skuadrës. Ardiani, por edhe unë presim që ai të jetë në gjendje të marrë rezultate pozitive, por edhe të përmirësohet në aspektin tekniko-taktik”.
JASHTË FUSHAVE – “Që në fëmijëri ka treguar talent dhe interes për futbollin. Pasioni i tij është shumë i fortë dhe falë vetëbesimit dhe vendosmërisë së tij, ai arriti të transferohej nga një ekip i vogël në Serie A. Unë jam babai i tij dhe jam ekonomist, vëllai i tij studion për drejtësi dhe motra e tij është regjistruar në inxhinieri kompjuterike. Ardiani është një djalë që ka shumë pasione, duke përfshirë leximin, daljet me miqtë, njohjen e vendeve të reja. I pëlqen të luajë basketboll në kohën e lirë”.
IDHULLI – “Idhulli i tij është Sergio Ramos. E admiron atë, sepse është një luftëtar dhe nuk dorëzohet kurrë. Ëndrra e madhe? Ka dashur gjithmonë të bëhej një futbollist i suksesshëm”.
KOMBËTARJA – “Kur e shoh duke luajtur me fanellën e kuqe ndjej emocione shumë të forta, kurrë nuk kam menduar se do ta shihja duke luajtur në ekipin kombëtar. Ka punuar gjithmonë me këmbëngulje, motivimi nuk i ka munguar kurrë dhe më ka befasuar edhe mua”. /abcnews.al