Është organizuar sot në qytetin e Çorovodës ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për politikanin,deputetin në disa legjislatura dhe publicistin Spartak Braho.
Këshilli Bashkiak Skrapar miratoi me vota unanime në 22 janar dhënien e këtij titulli Spartak Brahos, me motivacionin;”Në vlerësim të veprimtarisë së tij të shquar si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në disa legjislatura,si publicist dhe veprimtar i devotshëm shoqëror në mbrojtje të vlerave historike të LANÇ dhe të rënëve në këtë luftë,promovimit të vazhdueshëm të atdhetarizmit përmes lartësimit të figurave të shquara të Skraparit e më gjerë,si dhe traditave që i kanë dhënë nder e dinjitet në çdo kohë krahinës së Skraparit“.
Të pranishëm në ceremoninë e dhënies së titullit të nderit kanë qenë, Ministri i Turizmit Blendi Klosi, pronari i Fokus Media Group Irfan Hysenbelli, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, deputetë të qarkut,historianë,gazetarë etj.
Në fjalën e tij në çelje të ceremonisë, kryetari i bashkisë Skrapar,Adriatik Mema ka pohuar se, Spartak Braho është një skrapali me taban.
“Nga sot ju zoti Braho jeni më i riu “Qytetar Nderi” i qytetit të Skraparit, mes figurave të tjera të shquara që kanë nderuar Skraparin dhe Skrapari i ka vlerësuar. Ajo që shohim dhe vlerësojmë tek ju është shpirti juaj human,dashuria juaj për Skraparin,vendin e origjinës së të parëve tuaj,mbrojtja dhe promovimi i vlerave e traditave të Skraparit. Ju jeni një qytetar që vini nga një familje e nderuar e me vlera e këtij qyteti dhe familja juak la bërë sakrifica sublime,duke i dhënë qytetit tonë dy dëshmorë. Ju jeni skrapaliu i vërtetë e me taban dhe këtë e keni treguar në çdo cep të vendit”-ka thënë Mema.
Duke e cilësuar një ditë të shënuar për të, Spartak Braho ka falenderuar të gjithë ata iniciatorë (pushtetin vendor,organizata e deputetë) që propozuar për të dhënien e këtij titulli.
“Të jesh skrapali nuk është pak është shumë. Edhe pse Skrapari është një rreth i vogël jo çdo gjë matet me peshë apo me madhësi. Skrapari është i madh sepse ka nxjerrë njerëz të mëdhenj dhe me peshë”-ka thënë Spartak Braho.
Nga qyteti i Skraparit,Spartak Braho i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të hedhë sytë edhe nga ky qytet,që ka nevojë për investime dhe është lënë në harresë.