Spanjë/ Katalonja në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të thatësirës, kufizime në konsumin e ujit

schedule14:38 - 1 Shkurt, 2024

schedule 14:38 - 1 Shkurt, 2024

Gjendja emergjente është vendosur në Katalonjë për shkak të thatësirës historike që prej tre vitesh po prek këtë rajon në verilindje të Spanjës, ku rezervat ujore janë në nivele kritike. Vendimi, i cili u njoftua nga presidenti i qeverisë rajonale, Pere Aragones, përkthehet në një kufizim të konsumit të ujit nga gjashtë milionë banorët e rajonit, me kufizime veçanërisht të rrepta për industrinë dhe bujqësinë.

Masat kanë të bëjnë me rreth 200 fshatra, qyteza dhe qytete, përfshirë Barcelonën. Ato u miratuan pasi niveli në rezervuarët e ujit ra në 16% të kapacitetit të tyre. Pushteti vendor saktësoi se banorët do të duhet të ulin me 5% konsumin e ujit dhe, ndër të tjera, do t’u ndalohet larja e makinave apo mbushja e pishinave.

Fermerët duhet të ulin konsumin e ujit me 80%. Bazuar në grupin e parë të masave, të cilat mund të forcohen më vonë nëse situata nuk përmirësohet, konsumi ditor i ujit për person në Katalonjë duhet të reduktohet në 200 litra nga 210 litra deri tani.

Gadishulli Iberik është më i thatë se sa ka qenë në 1200 vjet, sipas një raporti të vitit 2022. Kjo i ka shtyrë zyrtarët në Katalonjë të marrin në konsideratë dërgimin e ujit në Barcelonë, një masë e zbatuar në vitin 2008 kur niveli i ujit në rezervuare kishte arritur në 20 % e kapacitetit të tyre, ndërkohë që kishte më pak impiante shkripëzimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!