Spanjë, identifikohen 212 luftëtarë të huaj që u zhdukën gjatë Luftës Civile

schedule18:50 - 31 Korrik, 2023

schedule 18:50 - 31 Korrik, 2023

Spanja ka identifikuar 212 luftëtarë ndërkombëtarë nga Gjermania, Austria dhe Holanda, të cilët u zhdukën në Katalonjë gjatë Luftës Civile të viteve 1936-1939.

Dy studime të kërkuara nga Drejtoria e Përgjithshme e qeverisë katalonjase kanë mbledhur emrat e vullnetarëve të huaj që luftuan në Katalonjë, ku rreth 2.000 luftëtarë janë varrosur në varre masive, raportoi sot agjencia spanjolle e lajmeve EFE.

Raporti thekson se është përcaktuar edhe vendi i saktë ku janë vrarë ose plagosur, gjë që është vendimtare në gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve të tyre nga varret masive. Identifikimi i luftëtarëve ndërkombëtarë të zhdukur në Katalonjë është projekt në vazhdim.

Faza e parë e përfunduar së fundmi përfshin identifikimin e emrave dhe vendeve të brigadës 212 të zhdukur nga Gjermania, Austria dhe Holanda, thuhet më tej. Sipas kreut të Drejtorisë, Alfons Aragoneses, faza tjetër do të fokusohet në dokumentimin e vendeve ku u vranë vullnetarët britanikë, irlandezë dhe amerikanë, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur.

Studimet kanë ndihmuar në identifikimin e 510 luftëtarëve të tjerë që u zhdukën në Katalonjë gjatë Luftës Civile, përfshirë ushtarë spanjollë, milicë dhe vullnetarë nga vende të tjera, thuhet në raport.

Historianët thonë se rreth 2.000 vullnetarë humbën jetën në Katalonjë nga 40 mijë vullnetarë që udhëtuan nga 50 vende të ndryshme për të rrezikuar jetën e tyre duke mbrojtur republikën si brenda Brigadave Ndërkombëtare ashtu edhe Milicive Antifashiste.

Viktima të shumta pati në frontin e Ebros, ku u zhvilluan betejat më të dhunshme gjatë Luftës Civile. Në këtë lokacion tashmë janë zbuluar mbetjet e para mortore të luftëtarëve ndërkombëtarë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!