Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Spanja vendos kontrolle kufitare ndaj Italisë, përshkallëzohet përplasja për fluksin e migrantëve në Ceuta

schedule18:26 - 8 Gusht, 2026

schedule 18:26 - 8 Gusht, 2026

Spanja ka vendosur kontrolle kufitare për të gjitha udhëtimet ajrore dhe detare nga Italia, ndërsa përplasja mes dy vendeve anëtare të BE-së për çështjen e migracionit po përshkallëzohet.

Masat, të cilat nisën në mesnatëdhe do të zgjasin për një muaj, vijnë një javë pasi Italia vendosi kufizime të ngjashme, pas fluksit të rreth 78 mijë migrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës.

Zyrtarët spanjollë thanë se dokumentet e 5-10% të pasagjerëve po kontrollohen përpara se ata të lejohen të zbresin nga avionët. Edhe Italia ka deklaruar se kontrollet në kufi janë të rastësishme.



Kriza ka vënë përballë kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, dhe homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, e cila prej kohësh kërkon rregulla më të ashpra të BE-së për migracionin.

Italia nuk ka kufi tokësor me Spanjën. Qeveria italiane tha javën e kaluar se vendimi për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes së Shengenit, që garanton lëvizjen pa kontrolle kufitare, synonte të parandalonte kalimin drejt Italisë të migrantëve që kishin hyrë në Ceuta.

Madridi e hodhi poshtë këtë argument, duke e cilësuar si të bazuar në “arsyetime të pabaza”, pasi migrantët që hynë në Ceuta nuk kishin mundësi të hynin në zonën Shengen.

Të premten, Spanja i kërkoi Italisë të anulonte kontrollet deri të dielën. Roma deklaroi se ato do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 15 gusht, kur, sipas saj, Spanja “pret një valë të re migracioni” drejt Ceutës.

Italia ka deklaruar se qytetarët spanjollë dhe ata të BE-së përjashtohen nga kontrollet shtesë gjatë mbërritjes në Itali, ndërsa këto masa zbatohen vetëm për shtetasit jashtë BE-së.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si zyrtarët kufitarë do të bëjnë dallimin mes udhëtarëve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së. Gazeta El País ka raportuar se në ditët e fundit në disa terminale aeroportesh italiane janë krijuar radhë të gjata dhe pritje të zgjatura, ndërsa pasagjerët që mbërrijnë nga Spanja janë orientuar drejt një radhe të veçantë për kontrolle.

Sa u përket kontrolleve spanjolle, autoritetet insistojnë se ato janë të rastësishme. Megjithatë, një pasagjere që mbërriti në Madrid të shtunën i tha transmetuesit publik RTVE se të gjithë pasagjerëve në fluturimin e saj iu kërkua të tregonin pasaportat.

“Na thanë se nuk mund të zbrisnim nga avioni pa treguar dokumentet”, tha Elisa.

Një tjetër pasagjer deklaroi: “Na ndaluan dhe na kërkuan dokumentet e identifikimit, të cilat policia dukej se i miratoi”.

Spanja ka deklaruar se kontrollet do të qëndrojnë në fuqi deri më 7 shtator, “përveç rastit kur një ndryshim i rrethanave që çoi në miratimin e tyre e bën të nevojshme ndryshimin e kësaj periudhe”.

Pezullimet e përkohshme të marrëveshjes së Shengenit nuk janë të paprecedenta. Italia gjithashtu mban kontrolle në kufirin e saj me Slloveninë.

Vendimi i Italisë për pezullimin e Shengenit për një muaj u mbështet nga Finlanda dhe Danimarka, ndërsa Republika Çeke bëri thirrje për pezullimin e përkohshëm të Spanjës nga marrëveshja.

Shumica e migrantëve që mbërritën në Ceuta javën e kaluar u kthyen brenda pak ditësh. Besohet se rreth 100 persona kanë humbur jetën gjatë kalimit.

Ndërkohë, rreth 1 mijë e 400 të mitur, disa prej tyre “djem dhe vajza shumë të vegjël”, ndodhen ende në Ceuta.

Spanja nuk ka njoftuar për një valë të dytë të pritshme kalimesh nga Maroku.

Megjithatë, BBC Arabic ka gjetur dhjetëra postime në Facebook që bëjnë thirrje për një kalim të dytë në mesin e gushtit. Disa prej tyre reklamonin edhe pajisje për not. Gjashtë prej këtyre grupeve kishin më shumë se 100 mijë ndjekës. Meta deklaroi se ka hequr postimet që shkelin politikat e saj.

Zyra e kryeministrit spanjoll i tha El País se situata po monitorohet, por se nuk pritet përsëritja e skenave të javës së kaluar.

Mbetet e paqartë se përse dhjetëra mijëra migrantë tentuan të kalonin drejt Ceutës. Megjithatë, komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, ka sugjeruar se pas kësaj qëndrojnë rrjete kriminale që përhapin dezinformata. Ky pretendim është mbështetur edhe nga qeveria spanjolle.

Kalimet masive ndodhën pasi Gjykata e Lartë e Spanjës vendosi se migrantët e ndaluar në det teksa përpiqen të arrijnë në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.

Nga ana e saj, Maroku ia ka atribuar krizën vendimit të gjykatës. Një burim qeveritar, i paidentifikuar, i tha mediave lokale se “elementi frenues i sistemit u shemb dhe diga u çarë, jo nën peshën e kriminelëve, por për shkak të vendimit të një gjyqtari”.

Numri i madh i njerëzve që u përpoqën të notonin drejt Ceutës në të njëjtën kohë ka ngritur pikëpyetje edhe mbi arsyen përse rojet kufitare marokene nuk tentuan t’i ndalonin.

Ceuta dhe Melilla, dy enklavat spanjolle në territorin e Afrikës së Veriut, kanë qenë prej kohësh një pikë tensioni diplomatik mes Spanjës dhe Marokut. Rabati nuk e njeh sovranitetin spanjoll mbi këto dy territore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!