Spanja thirrje vendeve perëndimore që të njohin shtetin e Palestinës

schedule07:21 - 11 Janar, 2024

schedule 07:21 - 11 Janar, 2024

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez u bëri thirrje vendeve perëndimore dhe argumentoi se është koha për ta njohur shtetin palestinez dhe se duhet të fillojnë diskutimet serioze për këtë.

Sanchez në hapjen e Konferencës së 8-të të Ambasadorëve në Madrid tha se qeveria spanjolle “demonstroi qëndrim të qëndrueshëm” pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe pushtimit pasues izraelit ndaj Gazës. “Dënuan sulmet e Hamasit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të pengjeve, njohim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por i kërkojmë këtij vendi (Izraelit) të respektojë rregullat e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut dhe t’i japë fund situatës katastrofike humanitare në Gaza”, tha ai.

“Rruga e veprimit tani është të sigurohet armëpushim i menjëhershëm dhe i përhershëm dhe të mbahet konferencë ndërkombëtare paqeje pasi të përfundojnë armiqësitë. Me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar duhet të realizohet zgjidhje serioze dhe e besueshme e bazuar në formulën e dy shteteve”, tha Sanchez.

Duke kujtuar se edhe pse shteti i Palestinës njihet nga më shumë se 130 vende, disa vende perëndimore ende nuk e njohin zyrtarisht këtë vend, Sanchez theksoi se “duhet nisur diskutim serioz për të siguruar që shteti i Palestinës të njihet nga vendet perëndimore”.

Kryeministri spanjoll tha se “është thelbësore të zbatohet zgjidhje e bazuar në njohjen e dy shteteve që do të sigurojë që Palestina dhe Izraeli të jetojnë në paqe dhe siguri dhe se populli palestinez nuk duhet të paguajë çmimin për veprimet e Hamasit”.

Qeveria e koalicionit të pakicës së majtë, e cila u formua në Spanjë me votëbesimin e Parlamentit më 16 nëntor, shpalli një nga prioritetet e saj për njohjen e shtetit palestinez, por nuk dëshiron ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme, ndaj po përpiqet të bindë vendet e tjera të BE-së si Gjermania dhe Franca.

Sanchez e la të hapur procesin e njohjes së shtetit palestinez nga Spanja, duke thënë se “kjo periudhë legjislative” do të mbulojë 4 vjet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!