Spanja shpall gjendjen e jashtëzakonshme klimatike

schedule14:14 - 22 Janar, 2020

schedule 14:14 - 22 Janar, 2020

Spanja ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme klimatike. Ende nuk kanë përfunduar pasojat e stuhisë “Gloria” që shkaktoi viktima dhe dëme, sidomos në Barcelonë dhe Katalonjë, e që tashmë ka përfshirë një pjesë të Francës. Qeveria e re spanjolle e koalicionit, e drejtuar nga Pedro Sáncez, është vendi i dytë anëtar i Bashkimit Europian që shpall gjendjen e jashtëzakonshme klimatike.

Ekzekutivi spanjoll premton të aktivizojë një paketë prej 30 masash të projektuara për të reduktuar emetimet dhe për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Një nga masat ka të bëjë me faktin se 95% e energjisë elektrike brenda vitit 2040 do të jetë nga burime të rinovueshme. Gjithashtu do të eliminohet ndotja nga automjetet si autobusë dhe kamionë.

Ministrja spanjolle për tranzicionin ekologjik, u shpreh se qeveria duhet të ketë një këndvështrim të gjerë të situatës. Ajo shtoi se mospranimi i kësaj sfide do të kushtonte shumë nga këndvështrimi ekonomik dhe ai ambiental.

Detajet e planit të qeverisë spanjolle do të bëhen publike në momentin kur projektligji për krizën klimatike do të prezantohet në parlament për miratim.