Spanja regjistron temperaturat më të nxehta të pranverës

schedule08:14 - 8 Qershor, 2023

schedule 08:14 - 8 Qershor, 2023

Spanja regjistroi pranverën e saj më të nxehtë këtë vit, dhe e dyta më e thatë ndonjëherë. Rubén Del Campo, zëdhënës i agjencisë së motit Aemet, tha se të dhënat e fundit tregojnë një vazhdimësi të temperaturave jashtëzakonisht të larta që vendi pësoi në vitin 2022, i cili ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Spanjë.

Nxehtësia e pranverës u shoqërua nga një mungesë shiu që do të përkeqësojë thatësirën afatgjatë të Spanjës, pavarësisht disa reshjeve gjatë muajit të fundit. Ministria e Tranzicionit Ekologjik të Spanjës raportoi të martën se rezervuarët e vendit janë në 47.4% të kapacitetit të tyre, duke konsoliduar një prirje rënëse.

Del Campo vuri në dukje efekte goditëse për ekosistemin e vendit mesdhetar.

“Temperaturat e ujit sipërfaqësor të regjistruara në vitin 2022 ishin më të lartat që nga viti 1940”, tha ai në një konferencë për shtyp, duke paralajmëruar se fenomeni rrezikonte jetën detare dhe aftësinë e saj për t’u riprodhuar.

Spanja pritet të jetë një nga vendet e BE-së më të goditura për sa i përket ndryshimeve klimatike. Në mbarë Spanjën, temperaturat mes 1 marsit dhe 1 qershorit ishin mesatarisht 14.2 gradë Celsius, tha Ministria e Mjedisit.

Këto temperatura ishin për 1.8 gradë më të larta sesa mesatarja e regjistruar mes vitit 1991-2020 dhe 0.3 gradë më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar më 1997.

Në fund të prillit, Spanja pësoi një valë të madhe të nxehti me temperatura lokale deri në 20 gradë Celsius mbi mesataren, duke përkeqësuar thatësirën.

Sipas agjencisë AEMET, Spanja ka “shumë gjasa” që edhe një herë të përballet me një verë më të nxehtë se zakonisht gjatë këtij viti, veçmas në pjesën lindore të shtetit dhe në ishujt spanjoll.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!