Spanja është përfshirë nga një skandal i trukimit të ndeshjeve. Nën pranga kanë përfunduar drejtues klubesh dhe ish-futbollistë. Ndër të arrestuarit është edhe ish-lojtari i Real Madrid, Raul Bravo.
Spanja trondiet nga një skandal trukimesh i përmasave të mëdha. Autoritetet spanjolle kanë arrestuar shumë persona madje edhe figura të njohura të futbollit europian. Nën pranga kanë përfunduar disa drejtues klubesh, por edhe futbollistë.
Lajmi i bujshëm është arrestimi i ish-mbrojtësit të Real Madrid, Raul Bravo, i cili ka mbajtur veshur fanellën madrilene për plot 6 sezone. Ish-futbollisti i Realit konsiderohet përgjegjësi kryesor i grupit. Është arrestuar edhe Borja Fernandez, i cili është tërhequr nga futbolli vetëm pak kohë më parë.
Sezonin e kaluar u aktivizua me skuadrën e Valladolid president i së cilës është braziliani Ronaldo. Nën pranga ka përfunduar një ish-lojtar i formuar në akademinë e Real Madrid, Karlos Aranda ashtu sikurse Samu Ruiz dhe Inigo Lopez, i cili ka luajtur më parë me Atletiko Madrid.
Gjatë operacionit, policia ka bastisur zyrat e Hueskas ku është arrestuar presidenti Agustin Lasaosa dhe mjeku i skuadres Lanuza. Të arrestuarit akuzohen për trukime ndeshjesh, korrupsion dhe pastrim parash./ABC News Albania 24/7