Vijojnë përplasjes mes Madridit dhe Londrës për çështjen BREXIT. Kryeministri spanjoll kërcënoi me veto nëse nuk zgjidhet çështja me statusin e Gjibraltarit. Ndërkohë për këtë, ekspertët e BE-së janë vënë në kërkim të një marrëveshjeje.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ripërsërit kërcënimin e vendosje së vetos për BREXIT sa i përket çështjes së pazgjidhur me Gjibraltarin. Me anë të një mesazhi në Tuitër, shefi i qeverisë së Madridit shpjegon se “pas bisedës me kryeministren britanike Theresa May, qëndrimet mbeten ende të largëta”. Ai nënvizoi se gjithmonë do të mbrojë interesin e Spanjës. “Nëse nuk ka ndryshime, do të vendosim veton për Brexit”, shkruan Sanchez.
“Puna e ekspertëve të shteteve anëtare vijon për të zgjidhur çështjen e Gjibraltarit”. Kështu është shprehur një zëdhënës i Komisionit Europian, sipas të cilit samiti Europian i së dielës, për mbështetjen politike të 27 liderëve për marrëveshjet për BREXIT do të mbahet. “Presidenti Jean Claude Juncker – vijon zëdhënësi – është në kontakt me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe më të gjithë personat e përfshirë në proces”. Sipas asaj që raportohet nga mediat ndërkombëtare, ekspertët dëshirojnë të zgjidhin çështjen e Gjibraltarit me një deklaratë të përbashkët që do t’i bashkohet dokumenteve të tjera për aprovim nga krerët e shtetit dhe qeverive në samitin e së dielës.
Ndërkohë, kryeministrja May mbrojti përballë Dhomës së Përfaqësuesve marrëveshjen me Bashkimin Europian për BREXIT: akord i cili – konfirmon ajo – do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë lëvizjes së lirë, juridiksionit të Gjykatës Europiane mbi Mbretërinë e Bashkuar dhe dërgimit të shumave të mëdha të parave drejt Brukselit si dhe do të nderojë vullnetin e shprehur nga populli britanik në referendum. May thotë se në të njëjtën kohë do të ruhet bashkëpunimi me 27 vendet e BE-së në siguri dhe raportet tregtare pa tarifa. Londra do të largohet përfundimisht nga blloku europian me 29 maj të 2019-s./abcnews.al