Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi heqjen e TVSH-së për nevojat bazë dhe 200 euro ndihmë për familjet më të varfra, në përpjekje për të balancuar pjesërisht rritjen e çmimeve.
Masat janë pjesë e një pakete të re me vlerë 10 miliardë euro, duke e çuar totalin e masave të marra nga qeveria për të luftuar inflacionin në 45 miliardë euro.
Cilat produkte do të kenë TVSH zero?
Masat e reja fokusohen tek produktet ushqimore, çmimi i të cilave u rrit me 15.3% në nëntor. Në gjashtë muajt e ardhshëm, ” TVSH-ja do të ulet nga 4% në 0% për të gjitha nevojat bazë ” si buka, qumështi, djathi, frutat, perimet apo drithërat, tha Sanchez në intervistën e fundit për vitin 2022.
Në të njëjtën kohë, TVSH-ja do të ulet nga 10% në 5% për vajin e gatimit dhe makaronat.
Gjithashtu, kabineti qeveritar në mbledhjen e fundit për këtë vit vendosi për një ndihmë prej 200 eurosh për familjet me të ardhura më të vogla ose të barabarta me 27 mijë euro, me qëllim “kompensimin e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore”.
Kryeministri spanjoll njoftoi gjithashtu një zgjatje 12-mujore të subvencioneve për udhëtarët që përdorin trenin për në punë dhe kufizime në rritjen e qirasë./Abcnews.al/