Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez nënshkruan një marrëveshje dypalëshe sigurie, të hënën, në Madrid.
Marrëveshja akordon 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën në vitin 2024 në mes të luftës së vendit kundër pushtimit të plotë të Rusisë, që filloi më shumë se dy vjet më parë, shkruajnë mediat e huaja.
Më herët të hënën, gazeta El Pais raportoi se Spanja do t’i dërgonte Ukrainës një duzinë raketa anti-ajrore Patriot të prodhuara nga SHBA, 19 tanke Leopard 2A4 të prodhimit gjerman, si dhe armë të tjera të prodhimit spanjoll si pajisje anti-drone dhe municioni.
Reuters raportoi se marrëveshja kërkon furnizimin me pajisje moderne ushtarake për përdorime tokësore, ajrore, detare dhe të tjera.
“Është më e rëndësishme se kurrë të dyfishojmë mbështetjen tonë”, tha Sánchez në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë sipas Reuters, Zelensky do të vizitojë kryeqytetin portugez të Lisbonës të martën, ku pritet të nënshkruajë një marrëveshje të ngjashme 10-vjeçare.
Agence France-Presse raportoi se Zelensky gjithashtu është planifikuar të vizitojë Brukselin të martën, pasi ai vazhdon të kërkojë mbështetje shtesë nga aleatët perëndimorë.
Rusia “ka shtyrë ngadalë vijat e frontit” në rajonet lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk.
Zelensky tha të dielën se Moska duket se po përgatitet për një ofensivë të re edhe në rajonin e Kharkiv, i cili ka parë një numër në rritje të sulmeve nga trupat ruse në javët e fundit.