Ish futbollisti, Kreshink Çipi sheh të avantazhuar Spanjën në finalen e madhe të Berlinit, për kampionatin evropian, EURO 2024, por sipas tij, karakteri anglez mund të bëjë që kësaj radhe, futbolli të shkojë në “shtëpi”.
Në emisionin “Sport Center” në ABC News, Çipi u shpreh se Spanja dhe Anglia kanë futbollistë cilësorë, që mund të zgjidhin ndeshjen.
Sipas Çipit, sulmuesi anglez, Harry Kane është shënues i mrekullueshëm dhe e meriton të fitojë çmimin e këpucës së artë.
“Mua ma mbush mendjen Spanja, por ndoshta këtë radhë, karakteri anglez mund të realizojë atë “it’s coming home”. Skuadrat e mëdha bëjnë diferencën, sepse kanë futbollistë cilësorë. Të dyja skuadrat, por edhe Anglia ka lojtarë cilësorë, mund të godasë në momentin kur duket se skuadra kundërshtare ka kontrollin e lojës. Motivimi është më i lartë te anglezët. Kanë Kane, disa futbollistë, Stones. Kanë eksperiencë që ndikon në ndeshje të tilla. Kane e ka vuajtur edhe në periudha të tjera, por është i veçantë. Është shënues i mrekullueshëm. Për mua është lojtar i veçantë, e meriton ta marrë këpucën e artë”, theksoi ai.
Spanja dhe Anglia do të përballën më 14 korrik, ora 21:00, në Berlin, për finalen e madhe të kampionatit evropian, EURO 2024./abcnews.al