Italia ka kujtime të hidhura nga Maqedonia e Veriut, pasi në fillim të vitit të kaluar i lanë jashtë Kupës së Botës dhe këtë herë do të provojnë përsëri për t’i lënë jashtë një kompeticioni të madh, atij të Euro 2024.
Megjithatë, trajneri i Italisë, Spaelletti, nuk ndikohet aspak nga e kaluara që ka përjetuar kombëtarja që ai drejton dhe është i bindur për suksesin.
“Ne jemi profesionistë dhe nuk mendojmë për të shkuarën. Kemi një skuadër shumë të mirë, e cila ka punuar në mënyrë të shkëlqyer, pasi e dimë që me ndeshje si ajo e nesërmja shkruhet historia. Duam të fitojmë dhe do t’ia dalim. Me Chiesa në fushë fitojmë diçka më shumë, pasi ai ka shpejtësi dhe na jep superioritet me driblimet e tij”, është shprehur Luciano Spalletti.
Ditën e premte, Italia do të ndeshet kundër Maqedonisë së Veriut në Romë dhe një fitore do t’i afronte edhe më shumë të kaltërit me kualifikimin për në Euro 2024./h.ll/abcnews.al