Institucioni i Komisionerëve Publikë nuk e ka ankimuar vendimin e dhënë në KPK, duke qenë se ndaj saj nuk ka pasur dyshime në asnjë nga shtyllat e rivlerësimit, që janë pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.
“Në zbatim të dispozitave të nenit 179/b, pika 5, të Kushtetutës, nenit C, pika 2, nenit F, pika 2, të aneksit të Kushtetutës, nenit 63 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe nenit 15 të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, pas shqyrtimit të vendimit nr. 217, datë 5.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Doloreza Musabelliu, Institucioni i Komisionerëve Publikë njofton se nuk është ushtruar ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.”, thuhet në njoftim.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) tashmë ka zyrtarisht 11 anëtarë pasi ka kaluar me sukses Vettingun prokurorja Doloreza Musabelliu.
Po ashtu Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur sot fillimin e procedurave për plotësimin e 2 (dy) pozicioneve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Njoftimi i KLP për plotësimin e vendeve vakante në SPAK:
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ju bën thirrje që të kandidojnë të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet e mëposhtëme:
– Kanë ushtruar funksionin si prokuror për jo më pak se 10 vjet;
– Nuk kanë masa disiplinore në fuqi;
– Japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake
– Sigurojnë pëlqimin e anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake;
– Nuk janë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. /abcnews.al