SPAK mbyll hetimet, i komunikohet akuza gjyqtares Mimoza Margjeka

schedule10:46 - 1 Mars, 2021

schedule 10:46 - 1 Mars, 2021

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq çështjen e  gjyqtares Mimoza Margheka dhe të akuzuarve e tjerë. SPAK gjithashtu ka mbyllur hetimet edhe për bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara.

Prokuroria i ka komunikuar kështu akuzën gjyqtares. Mimoza Margjeka dhe bashkëshorti akuzohen për “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, në bashkëpunim”.

Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Çështja për të cilën akuzohet Mimoza Margjeka, bashkëshorti i saj si edhe avokati Skënder Demiri:  Policia arrestoi në korrik të këtij viti një grup që transportonin klandestinë, mes tyre ishte edhe Orion Bali.

Fillimisht gjykata e Pogradecit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Balin, por familjarët ndërhynë përmes avokatit Demiri dhe përmes 6 mijë eurove synuan ndryshimin e vendimit në Apelin e Korçës nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Pas kontakteve të para, SPAK vuri në përgjim personat e dyshuar duke zbuluar se në skemë ishte edhe bashkëshorti i gjyqtares, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Arben Cara.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 26.02.2021 ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.186/2020, në ngarkim të pandehurve:

Mimoza Margjeka dhe Arben Cara, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.

g.v/abcnews.al