Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh optimist për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, e cila është një nga kërkesat e opozitës. “Barazi mes anëtarëve dhe të drejtë vetoje. Besoj se do ta gjejmë zgjidhjen në themelin e hedhur prej shumë vitesh kur ka ngritur Kuvendi Komisione për reformën zgjedhore” tha Balla.
Për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, Balla theksoi edhe njëherë tjetër se është i domosdoshëm. “Unë nuk dua të bëj debat më për këtë cështje, as deklarata që nuk i vlejnë nevojës që ka Kuvendi për ta shqyrtuar, kjo i takon komisionit të ligjeve, legjislacionit dhe “Venecias” për të dhënë një opinion urgjent dhe mesa jam informuar e ka parashikuar për ditët e para të dhjetorit. Le t’i shmangim diskutimet në publik. Është domosdoshmëri” tha ai.
Balla u shpreh pro kërkesës së prokurorëve të SPAK-ut që duan mandat të përjetshëm, por theksoi se ky është mendimi i tij dhe jo i grupit dhe se cështja duhet diskutuar dhe për këtë sipas tij ka kohë.
“Mos harrojmë që bëhet fjalë për një ndryshim kushtetues. Nuk ka një depozitim me firma deputetësh që janë i vetmi instrument që e fusin në procedurë. Koha në dispozicion është e mjaftueshme, pasi asnjëri nuk është në fund të mandatit, por në fillim.
Do të kemi kohë, do ta diskutojmë. Si një deputet i thjeshtë në këndvështrimin tim, mendoj që kjo është një cështje që meriton të vlerësohet po të nisemi nga ecuria e deritanishme dhe pse të mos mbështetet. Por nuk dua të hyj në diskutim për këtë cështje, pasi nuk ka një nisëm” deklaroi ai./ Abcnews.al