SPAK dërgoi klanin “Duka” për gjykim, si u vra Santiago Malko në 2019

schedule14:37 - 15 Korrik, 2021

schedule 14:37 - 15 Korrik, 2021

Prokuroria e Posaçme ka çuar për gjykim dosjen e klanit “DUKA”, të cilët krahas prodhimit dhe trafikimit të drogës akuzohen edhe për ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko në 27 gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Të akuzuar për këtë ngjarje janë: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj, Xhoni Nica dhe Elvis Gaçaj.

Nga 9 të akuzuar për këtë vrasje, 8 prej tyre janë në arrati dhe në paraburgim gjendet vetëm Ilir Selmani, i arrestuar me bujë në prill të vitit të shkuar.

Si u ekzekutua Santiago Malko?

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”. Malko u ekzekutua me breshëri automatiku në automjetin e tij  BMW X5, ku sapo kishte dalë nga një lavazh.

Leonard Duka dhe Erlis Duka, vëllezër me njëri-tjetrin, janë pronarë të një lokali në zonën e “Freskut” ku dyshohet se është thurur plani për vrasjen e Malkos. Të dy dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht, Santiago Malkon, ish-oficer policie.

Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja.

Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volksëagen’, golf ishin Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.

Sipas hetimeve, Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre.

Ata janë kthyer dhe janë ndaluar në rrugën “Xhanfize Keko” ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi.

Armët dhe baza në Tiranë

Në prill të këtij viti, grupi hetimor zbuloi të tjera të dhëna për vrasjen e ish-policit. Dy armët tip kallashnikovë me të cilat u qëllua për vdekje Malko dyshohet të jenë blerë nga anëtarë të klanit “Duka”, në një nga 20 bazat e armëve që policia zbuloi në kryqytet.

Bëhet fjalë për bazën e armatimit të zbuluar pas arrestimit të Enver Jamakut. Magazina ku ndodhej baza ishte në pronësi të Sokol Xhura, në rrugën “Xhanfize Keko”, pak metra larg vendit ku u ekzekutua Malko. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!