SpaceX e Musk: Nuk mund të paguajmë më për shërbimet kritike satelitore në Ukrainë

schedule08:58 - 14 Tetor, 2022

schedule 08:58 - 14 Tetor, 2022

Që kur filluan të mbërrinin në Ukrainë pranverën e kaluar, terminalet e internetit satelitore Starlink të prodhuara nga SpaceX e Elon Musk kanë qenë një burim jetik komunikimi për ushtrinë ukrainase, duke e lejuar atë të luftojë dhe të qëndrojë e lidhur edhe pse telefonat celularë dhe rrjetet e internetit janë shkatërruar gjatë luftës me Rusinë.

Deri më tani rreth 20,000 njësi satelitore Starlink i janë dhuruar Ukrainës, ndërsa Musk  duke postuar në Twitter të premten tha se “operacioni i ka kushtuar SpaceX 80 milionë dollarë dhe do të kalojë 100 milionë dollarë deri në fund të vitit”.

Por këto kontribute bamirëse mund të marrin fund, pasi SpaceX ka paralajmëruar Pentagonin se mund të ndalojë financimin e shërbimit në Ukrainë nëse ushtria amerikane nuk jep dhjetëra miliona dollarë në muaj.

Dokumentet e marra nga CNN tregojnë se SpaceX e Musk muajin e kaluar i dërgoi një letër Pentagonit duke thënë se nuk mund të vazhdojë të financojë shërbimin Starlink siç ka bërë deri tani.

Në letër gjithashtu kërkohej që Pentagoni të merrte përsipër fondet për përdorimin e Starlink nga qeveria dhe ushtria e Ukrainës, për të cilën SpaceX pretendon se do të kushtonte më shumë se 120 milionë dollarë për pjesën tjetër të vitit dhe mund të kushtojë afër 400 milionë dollarë për 12 muajt e ardhshëm.

“Ne nuk jemi në gjendje të dhurojmë më tej terminale në Ukrainë, ose të financojmë terminalet ekzistuese për një periudhë të pacaktuar kohore,” i shkruante drejtori i shitjeve qeveritare të SpaceX Pentagonit në letrën e shtatorit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!