Kapiteni i Manchester United, Harry Maguire, u la jashtë grumbullimit të kombëtares angleze për ndeshjet e Nations League pas ngjarjeve të ndodhura në Mykonos. Vendimi nga tekniku Southgate erdhi një ditë pasi qendërmbrojtësi u dënua, pasi fillimisht ai ishte në listën e lojtarëve të grumbulluar.
27-vjeçari u dënua me burg, pasi u shpall fajtor për sulmimin e një oficeri policie si dhe akuzohet për ryshfet nga gjykata greke. Dënimi për anglezin ishte plot 21 muaj e 10 ditë burg, por gjithçka do të pezullohet sepse kjo ishte shkelja e tij e parë.
Vendimi për lënien jashtë nuk i pëlqeu aspak mbrojtësit Maguire dhe sapo e mori vesh vendosi të postojë një shprehje të Buddhas në “Instastory”. “Tre gjëra nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë. Dielli, hëna dhe e vërteta,” është shprehja e zgjedhur nga lojtari.
Harry ngulmon se është i pafajshëm, por tashmë ai nuk do të mund të marrë pjesë në dy sfidat e Nations League. /abcnews.al