Southagte: Çekia më e vështira, sa janë përmirësuar! Të sulmojmë me shumë forca

schedule20:16 - 21 Qershor, 2021

schedule 20:16 - 21 Qershor, 2021

Anglia luan takimin e tretë në grupin D nesër në mbrëmje. Në “Wembley (21:00) do të zbresë Çekia, që kryeson me 4 pikë sa “Tre Luanët”, por me golavarazh më të mirë. Trajneri i kombëtares ishullore, Gareth Southgate nuk e fsheh admirimin e tij për ekipin kundërshtar.

Kemi luajtur me Çekinë në Wembley disa vite më parë. Ata janë përmirësuar shumë si skuadër prej asaj kohe. Unë mendoj se janë një skuadër shumë, shumë e mirë, trajneri i tyre meriton komplimente.

Janë një ekip që luan mirë me topin dhe janë të aftë në presing, mendoj se Çekia është shumë e nënvlerësuar. Kur u hodh shorti i këtij grupi të gjithë flisnin për ndeshjet tona ndaj Skocisë dhe Kroacisë.

Ne e kemi ditur gjithmonë që ndeshja më e vështirë do të ishte ndaj çekëve“, deklaron Southgate, i cili kalon tek ekipi i tij dhe vështirësia për të shënuar. “Janë disa gjëra ku duhet të punojmë edhe më shumë si skuadër.

Patëm një problem taktik përballë Skocisë, nuk e zgjidhëm dot. Gjithsesi, Skocia u mbrojt shumë mirë, me forca të shumta dhe nuk ia dolëm t’i çajmë, ky është problemi. Duhet të punojmë më shumë si kolektiv në skemat sulmuese.

Kemi potencial të madh në ofensivë, kemi lojtarë të rrezikshëm përpara, por na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër. Do të shohim duele të forta një kundër një. A do jetë Harry Kane titullar? Është e mundur.

Ai është vendimtar për ne, jo vetëm për golat që shënon por edhe për aspektin e ndërtimit të manovrës tonë sulmuese. E di që ka shumë dyshime rreth Kane, por është një situatë që e ka kaluar edhe më parë“, deklaroi trajneri i Anglisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!