Sot do të zhvillohet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Një duel nga i cili Partizani mund të shpallet matematikisht kampion i Shqipërisë për sezonin 2018-19.
Luhet derbi numër 153 në histori mes Partizanit dhe Tiranës. Përgatitjet po shkojnë drejt fundit dhe atmosfera është pozitive në të dyja kampet.
Ndryshe nga derbet e tjera, të dielën ka shumë faktorë tek të dyja klubet emblemë të futbollit shqiptar për të dalë fitues.
Në “Selman Stermasi”, Partizani ka mundësinë për t’u shpallur kampion pikërisht në derbi ndaj skuadrës më të urryer të kampionatit shqiptar.
Ndërkohë Tirana që lufton për mbijetesë ka 3 motive për të fituar takimin. Të hedhë një hap të sigurtë drejt qëndrimit në mesin e më të mirave në superiore, të shtyje festën e Partizanit për t’u shpallur kampion dhe të rikthehet tek fitorja në derbi, e cila mungon prej disa sezonesh me radhë.
Partizani po zhvillon sezonin më të mirë gjatë viteve të fundit dhe titulli është vetëm çështje kohe. Të kuqtë do të shpallen kampion për herë të parë pas sezonit 1992-1993. Një moment historik në shtëpinë e të kuqve të kryeqytetit që e meritojnë më shumë se kurrë titullin kampion.
Tirana, ekipi më i titulluar në Shqipëri, shumë larg asaj Tirane që presin të gjithë. Bardheblutë prej disa sezonesh me radhë janë jashtë garës për titull e si të mos mjaftonte kjo, u rrëzuan një kategori më poshtë vetëm dy sezone më parë.
Përtej problematikave të Tiranës, kryeqytetasit janë të karikuar më shumë se kurrë në derbi. Kualifikimi në finalen e Kupës pas fitores 5-3 ndaj luftëtarit dhe fitorja ndaj Skënderbeut ka rritur vetëbesimin dhe moralin në grup.
Në kampin tjetër Partizani fitoi bindshëm në transfertën e Vlorës. Derbi pritet të dhurojë spektakël dhe emocione të forta në fushën e lojës ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën./ABC News Albania 24/7