“Sot në klasë mungon Mateo”, Kushi: Jemi përgjegjës si shoqëri që mos mbetemi vetëm te mesazhet e ngushëllimit

schedule11:56 - 17 Nëntor, 2021

schedule 11:56 - 17 Nëntor, 2021

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi të martën në Fier, ku një i mitur u rrëmbye dhe u vra nga fqinji i tij. Në një postim në Facebook, Kushi shkruan se sot është dita që të gjithë të reflektojnë për këto ngjarje dhe “për ata kriminelë që gjenden kudo.”

Siç shprehet ministrja, si shoqëri jemi përgjegjës që kjo kambanë alarmi të mos mbetet vetëm në mesazhe ngushëllimi.

EVIS KUSHI NË FACEBOOK

“Sot në klasën e tretë të shkollës “Thanas Ikonomi” në Grecalli të Fierit mungon Mateo, një nxënës i shkëlqyer dhe një fëmijë i dashur për të gjithë shokët, shoqet dhe mësuesit. Dje, Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël që nuk pati asnjë faj dhe nuk mund të mbrohej dot ndaj monstruozitetit të një krimineli, për të cilin çdo lloj dënimi sot është i pamjaftueshëm.

Sot, të gjithë duhet të reflektojmë për këto ngjarje të tmerrshme, për këta kriminelë që mund të gjenden kudo, për çdo rrezik të mundshëm dhune që mund të kthehet në një fatkeqësi shoqërore.

Sot, familja e Mateos së vogël ka marrë një plagë të pashërueshme dhe asnjë fjalë s’mund ta lehtësojë dhimbjen e tyre. Por, të gjithë ne, mësues, prindër, institucione dhe gjithë shoqëria jemi përgjegjës që kjo kambanë alarmi të mos mbetet vetëm në mesazhe ngushëllimi. U prehsh në parajsë Mateo!”

Tetëvjeçari Mateo Vasiu u përcoll sot për në banesën e fundit mes lotëve dhe vajit të familjarëve dhe të afërmve. Autori, Klodian Çalamani i dënuar më parë për një rast pengmarrjeje është vënë në pranga. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!