Pavarësisht rasteve me COVID, Kuvendi ka vendosur të mos e mbyllë këtë sesion para kohe.
Dy seancat e planifikuara, përkatësisht e sotmja dhe ajo e së enjtes, ku pritet të votohen edhe ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave zgjedhore, do të zhvillohen, por kohëzgjatja e seancave dhe e diskutimeve do të jetë e kufizuar.
“Kuvendi i Shqipërisë, që në fillim të pandemisë së COVID-19, ka respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat mbrojtëse. Me vendim të Konferencës së Kryetarëve, është kufizuar kohëzgjatja e seancave plenare, si dhe koha e diskutimeve. Mbledhjet e komisioneve parlamentare, Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve zhvillohen online. Deputetët në sallë mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe lozhat”, ka njoftuar Kuvendi.
Në lajmërimin theksohet po ashtu se është bërë dezinfektimi i rregullt periodik i mjediseve të Kryesisë së Kuvendit dhe të sallës së seancave plenare, duke garantuar dezinfektim të dedikuar para çdo seance.
“Janë ndaluar veprimtaritë dhe takimet publike në Kuvend; është pezulluar shërbimi i dokumentacionit arkivor. Janë ofruar masa lehtësuese për punonjësit prindër të fëmijëve të mitur ose me probleme shëndetësore: punë në distancë, orë fleksibël, mundësimi i rritjes së distancës fizike”.
Të hënën, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, iu drejtua me një apel gjithë qytetarëve shqiptarë, për të rritur ndjeshmërinë e tyre ndaj respektimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19./abcnews.al