Ambasadori afgan në Kombet e Bashkuara Ghulam M. Isaczai i kërkoi sot OKB-së që të bëjë thirrje për dhënien fund të dhunës në Afganistan. “Nuk ka më kohë për lojë fajësimi. Ne kemi një mundësi për të parandaluar dhunën e mëtejshme, për të parandaluar që Afganistani të bjerë në luftë civile. Prandaj Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së duhet të përdorin çdo mjet në dispozicion për të bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare” tha Isaczai.
Ambasadori theksoi se po fliste në emër të miliona njerëzve në Afganistan. “Unë po flas për miliona vajza dhe gra afgane që do të humbin lirinë e tyre për të shkuar në shkollë, për të punuar dhe për të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Unë po flas për mijëra mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë, akademikë, nëpunës civilë dhe ish-personel të sigurisë, jeta e të cilëve është në rrezik për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Unë po flas për mijëra njerëz të zhvendosur brenda vendit të cilët kanë dëshpërimisht nevojë për strehim, ushqim dhe mbrojtje në Kabul dhe vende të tjera” tha Isaczai.
Presidenti Biden pritet që sot të mbajë një fjalim në Shtëpinë e Bardhë lidhur me krizën në Afganistan. Ndërkohë që Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë të hënën se Rusia po ndjek nga afër zhvillimet në Afganistan. Moska theksoi se transferimi i pushtetit te talebanët ndodhi “si rezultat i mungesës pothuajse të plotë të rezistencës nga forcat e armatosura kombëtare të stërvitura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj”.
“Situata në Kabul dhe në Afganistan në tërësi po stabilizohet. Talibanët filluan të rivendosin rendin publik, konfirmuan garancitë e sigurisë së banorëve vendas dhe misioneve të huaja diplomatike. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve afgane që të përmbahen nga dhuna dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e situatës në mënyrë paqësore“. Ministria e jashtme tha se Ambasada Ruse në Kabul vazhdon të funksionojë si zakonisht dhe “janë vendosur kontakte pune me përfaqësuesit e autoriteteve të reja për të siguruar sigurinë e misionit rus jashtë vendit“./ Abcnews.al