Sot fillon zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, e cila do të zgjasë pesë ditë, ashtu siç është përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Kështu u bë e ditur nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi.
“KQZ-ja ka vendosur për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Janë 5 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për të zhvilluar aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore, duke filluar nga 8 nëntori deri më 12 nëntor”, tha Elezi.
Votimet për raundin e dytë të zgjedhjeve do të mbahet të dielën më 14 nëntor.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet në 21 komuna ku asnjëra nga kandidatët për kryetarë të komunave nuk arriti të marrë 50+1 përqind të votave.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, rundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet më 14 nëntor.
Prishtina shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17.
Në Prizren garojnë Mytaher Haskuka LVV me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj PDK, me 31.36 për qind të votave në raundin e parë.
Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV 44.71.
Gjakova do të ketë balotazh Ardian Gjinin e AAK-së me 45.76 për qind dhe Mimoza Kusari-Lila LVV me 37.20.
Në Podujevë garojnë Ekrem Hyseni i LDK-së, i cili në raundin e parë mori 44.20 për qind dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së me 44.16 për qind.
Në Drenas, kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci, i cili më 17 tetor mori 45.50 për qind, do të përballet me Driton Ajazin nga Demokratët për Drenasin, me 30.50 për qind.
Në Kaçanik do të përballen Besim Ilazi PDK që mori 44.67 për qind të votave kundër Jeton Rakës nga LVV me 33.36.
Në Istog Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave dhe Bekë Berisha nga AAK me 24.49.
Në Dragash përballjen do ta kenë Bexhet Xheladini nga LDK që mori 35.69 për qind me Shaban Shabanin nga PDK, i cili në raundin e parë mori 32.56 për qind.
Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votave dhe Enver Bajçinca nga LVV me 25.58, do të garojnë për komunën e Fushë Kosovës.
Ndërsa në Obiliq përballen Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin dhe Halil Thaçi i LVV-së. Në raundin e parë kryetari aktual i Obiliqit mori 48.12 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i tij me të cilin do të përballet në balotazhit 20.19 për qind të votave.
Në Klinë janë Zenun Elezaj nga AAK me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci PDK me 27.42.
Në Kamenicë, Qëndron Kastrati nga PSD me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj LVV, 31.01 për qind.
Në Rahovec, Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica LVV me 24.84.
Në Viti, Sokol Haliti LDK me 41.30 për qind dhe Arsim Ademi LVV me 34.50.
Në Junik, Agron Kuçi AAK me 45.19 për qind dhe Ruzhdi Shehu i LDK-së me 42.01 për qind të votave në raundin e parë.
Malisheva shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga NISMA me 34.08 për qind dhe Isni Kilaj PDK me 28.82.
Në Vushtrri garojnë Ferit Idrizi i PDK-së me 34.81 për qind dhe Xhafer Tahiri LDK 33.82 për qind.
Në Shtime Qemajl Aliu LVV me 45.29 për qind dhe Naim Ismajli PDK me 44.23 për qind të votave në raundin e parë.
Edhe dy komunat tjerat Kllokoti e Mamusha janë në balotazh. Në Kllokot garojnë Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind dhe Strahinja Spasiq nga GI Srpska Narodna Sloga 36.33 për qind.
Ndërsa në Mamushë, Abdulhadi Krasniqi nga KDTP, i cili në raundin e parë mori 48.92 për qind dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95.
Komunat që nuk do të votojnë më 14 nëntor janë Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Deçani, Lipjani, Suhareka, Hani i Elezit, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e Veriut, Graçanica, Novobërda, Shtërpce, Ranillugu dhe Parteshi.
Në të gjitha këto komuna kryetarët e ri janë zgjedhur në raundin e parë duke fituar mbi 50 për qind të votave të nevojshme./Gazeta Express/