Sormani në stol, Partizani nuk heq dorë nga trajnerët italianë

schedule19:35 - 5 Janar, 2020

schedule 19:35 - 5 Janar, 2020

Emërimi i Adolfo Sormanit në stol tregoi se Partizani nuk heq dorë nga trajnerët italianë. Plot pesë herë është drejtuar skuadra kryeqytetase nga teknikët e ardhur nga Italia, por deri tani më së shumti ka dështuar.

I prezanton drejtori sportiv apo presidenti, kjo ka pak rëndësi. Partizani duket se ka krijuar një varësi nga trajnerët nga Italia, dhe kjo nuk po ndryshon pavarësisht dështimeve njëri pas tjetrit.

Vetë Adolfo Sormani, i përzgjedhuri më I fundit, është një rikthim, dhe teknikët nga “il bel Paese” janë ulur pesë herë në 4 vitet e fundit në stolin e kuq.

Historia nisi me Andrea Agostinelin në janar 2016. Pesëdhjetenëntëvjeçari, me përvojë kryesisht në Serinë B dhe C, u paraqit para tifozëve dhe mediave nga presidenti Gazmend Demi, me këtë arsyetim. Pavarësisht kulturës dhe komunikimit mjaft pozitiv, nuk qe e thënë që Agostineli të mbijetonte më shumë se 5 muaj.

Ai u largua si nënkampion i Shqipërisë, duke u bërë për disa muaj edhe trajner I Skënderbeut, por që prej 2016-ës nuk drejtoi më asnjë ekip. Partizani e largoi në heshtje, por jo se dashuria për të kaltrit u zbeh.

Përkundrazi, pas Agostinellit erdhi Adolfo Sormani, ai që është edhe aktualisht në stol. Fjalët e presidentit Demi ishin këto. Tekniku 51-vjeçar kishte përvojë me të rinjtë tek Juventusi e Napoli, si dhe si ndihmës i Gianfranco Zola tek Watford në Premier Ligën angleze.

 

 

Ai pati sukses në Champions, duke arritur kualifikimin ndaj Ferencvaros hungarez, e duke bërë paraqitje dinjitoze ndaj Krasnodarit rus. Kjo nuk mjaftoi dhe napolitani iku për vetëm për 4 muaj, i përfshirë në konflikte me lojtarët, së pari për shkak të ndryshimit në mentalitet.

Pasi u provua Sulejman Starova, klubi kryeqytetas mezi priti të kthehej sërish nga Perëndimi. I përzgjedhuri I radhës ishte një ish-lojtar i madh i Juventusit, Marc Iuliano, që u prezantua në 26 korrik 2017.

Numri 1 i klubit, Demi, këtë herë e pati të vështirë të jepte argumentet. Nëse italianët nuk patën sukses në Tiranë, Iuliano ishte një dështim.

Partizani i tij u paraqit shumë dobët, me lojë e me rezultate dhe në fillim të nëntorit ai u shkarkua nga detyra.

“Kamerdarja e shpëtimit” ishte si gjithnjë Starova, dhe sërish në mënyrë të përkohshme. As edhe suksesi më i madh në 26 vitet e fundit, shpallja kampion I Shqipërisë me Skënder Gegën në stol, nuk mjaftoi që drejtuesit e kuq të hiqnin dorë një herë e mirë nga trajnerët me pasaportë italiane.

I parafundit në radhë u bë Franko Lerda, këtë herë në shoqërinë e drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama. Historia e Lerdës njihet mirë pasi është e kohëve të fundit, dhe Partizani i tij pati edhe suksese, edhe ngërçe, por sidomos u dëmtua nga konfliktet me lojtarët dhe ndihmësit.

Italiani u shkarkua pas humbjes së derbit ndaj Tiranës në “Arenën Air Albania”. Me një këmbëngulje që mund të cilësohet edhe e admirueshme, edhe e habitshme, klubi kampion përzgjodhi italianin e radhës, riktheu Adolfo Sormanin. Napolitani mund të quhet më i sakti trajner i kaltër në stolin e kuq, dhe ndoshta mund të ketë sukses, por tradita nuk e ndihmon aspak.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!