Sipas një sondazhi rreth gjysma e votuesve republikanë i besojnë Presidentit Trump se ka fituar zgjedhjet përballë rivalit demokrat, Joe Biden.
Presidenti Trump ka deklaruar vazhdimisht pa dhënë prova, se votimet dhe procesi i numërimit të votave u manipuluan në interes të rivalit të tij dhe ai nuk ka pranuar deri tani humbjen.
Një sondazh nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma Ipsos, në të cilën morën pjesë mijëra votues, ka treguar se 73% e të anketuarve besojnë se Biden ka fituar zgjedhjet, ndërsa 5% besojnë se fitoi Presidenti Trump.
Por republikanët dyshojnë për rezultatin e zgjedhjeve, sidomos kur u pyetën nëse Biden “fitoi me të drejtë”.
52% e republikanëve deklaruan se Presidenti Trump ishte “fitues i merituar” ndërsa vetëm 29% e tyre thanë se kishte fituar konkurrenti demokrat, Biden.
Kur u pyetën përse, 68% e republikanëve shprehën shqetësimin se zgjedhjet u manipuluan, siç ka pretenduar edhe vetë presidenti ndërsa vetëm 16% e demokatëve dhe 33% e të pavarurve deklaruan të njëjtën gjë.
Avantazhi në Kolegjin Elektoral
Të gjitha grupet mediatike kryesore në SHBA kanë shpallur Biden fitues, pasi ai ka siguruar më shumë se minimalen e kërkuar prej 270 votash elektorale për të marrë fitoren. Kolegji elektoral ka gjithsej 538 vota dhe është vendimtari në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Biden siguroi gjithashtu një epërsi prej miliona votash në votën popullore krahasuar me Trump. Edhe pretendentja demokrate në zgjedhjet e 2016, Hillary Clinton, siguroi fitore në votën popullore por humbi në kolegjin elektoral.
Që nga zgjedhjet, Presidenti Trump ka shmangur aktivitetet publike, por ka shprehur nervozizëm në Twitter se zgjedhjet janë manipuluar. Por deri tani, presidenti ka humbur disa sfida ligjore dhe nuk ka dhënë prova për mashtrime të zgjedhjeve.
Megjithëse anketat tregojnë se 55% e amerikanëve besojnë se zgjedhjet ishin “të sakta dhe legjitime,” kjo shifër pasqyron një rënie prej 7% krahasuar me rezultatin e të njëjtës anketë të zhvilluar në 2016.
28% e të anketuarve mendojnë që rezultati në zgjedhje u diktua “nga votime të paligjshme ose manipulime”, një rritje prej 12% krahasuar me katër vite më parë./abcnews.al