Sondazhet e fundit tregojnë se koreano-jugorët kundërshtojnë në masë furnizimin e drejtpërdrejtë me armatime të Ukrainës. Ky qëndrim vjen edhe pse Ukraina dhe aleatët e saj kanë ripërsëritur kërkesën drejtuar Seulit për furnizimin e Kievit me armë mes njoftimeve se trupat koreano-veriore po ndihmojnë Rusinë.
Zyrtarët ukrainas i ka kërkuar Seulit një sërë armësh dhe zyrtarët koreano jugorë kanë thënë se do ta marrin në konsideratë një çështje të tillë, në varësi të hapave të ardhshëm që do të ndërmarrë Rusia dhe Koreja e Veriut.
Një delegacion ukrainas i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov u takua sot me Presidentin e Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol. Sipas njoftimeve mediatike vizita lidhej me çështjen e armëve.
“I themi ‘Jo’ planeve të qeverisë së Koresë së Jugut për të furnizuar me armë Ukrainën”, shkruhej në një pankartë që mbanin një grup i vogël protestuesish të mbledhur jashtë zyrës së kryeministrit në Seul.
Të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimin e informacionit mbi dërgimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, si dhe shkëmbimin e teknologjisë dhe armëve mes tyre, thuhej në një deklaratë të zyrës së zotit Yoon.
Delegacioni u takua gjithashtu me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Seulit, Shin Won-sik si dhe ministrin e Mbrojtjes Kim Yong-hyun.
Në një intervistë në tetor për televizionin koreano-jugor KBS Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se Ukraina planifikonte t’i dërgonte Seulit një kërkesë të detajuar për mbështetje me armë, përfshirë artilerinë dhe një sistem të mbrojtjes ajrore.
Një diplomat perëndimor i tha agjencisë ‘Reuters’ se diskutimet private u përqëndruan në sistemet e mbrojtjes ajrore të prodhuara për të rrëzuar avionë dhe raketa, por fitorja në zgjedhjet presidenciale amerikane e Donald Trump-it ka krijuar pasiguri lidhur me bisedimet.
Sondazhet tregojnë se zoti Yoon, i cili gëzon një nivel të ulët mbështetjeje për shkak të skandaleve të brendshme, po përballet me një kundërshtim të gjerë të publikut ndaj idesë së furnizimit me armë të Ukrainës.
Shumica e koreano-jugorëve i shohin lidhjet ushtarake në rritje mes Phenianit dhe Moskës si një kërcënim, sipas një sondazhi të Gallup-it të publikuar në tetor, por 82% e kundërshtojnë megjithatë ndihmën ushtarake për Kievin./VOA