79% e amerikanëve, përfshirë më shumë se gjysmën e republikanëve, kanë deklaruar se presidenti i zgjedhur Joe Biden është fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Ndërsa gara me presidentin e tanishëm republikan Donald Trump ende mbeti e papërcaktuar në tre shtete deri të martën vonë pasdite, Biden, të cilit i duheshin 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar, kishte 279 më krahasim me 214 të Trump, sipas organizatës kërkimore “Edison Research”.
Biden fitoi 76.3 milionë vota, ose 50.7 përqind të të gjitha votave të numëruara deri të martën, ndërsa Trump fitoi 71.6 milionë, ose 47.6 përqind të totalit të votave.
Anketa kombëtare Reuters/Ipsos, e cila u bë mes të shtunës dhe pasdites së të martës, zbuloi se 79 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. 13 përqind e pjesëmarrësve në anketë thanë se nuk ka ende një fitues, 3 përqind thanë se Trump fitoi dhe 5 përqind deklaruan se nuk e dinin rezultatin.
Presidenti Trump ende nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai shpalli fitoren para përfundimit të numërimit të votave dhe është ankuar se ai është viktimë e manipulimit të gjerë të votave.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr ka autorizuar nisjen e hetimeve federale për parregullsi në votime dhe sekretari i shtetit Mike Pompeo të martën tha se ai parashikon “një tranzicion të qetë në një administratë të dytë të presidentit Trump”.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se 72 përqind e pjesëmarrësve mendojnë se kandidati që ka marrë më pak vota elektorale duhet të pranojë humbjen, dhe 60 përqind e tyre mendojnë se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit kur mandati i presidentit Trump të përfundojë në janar./abcnews.al