Sondazhet: Besimi i gjermanëve në qeverinë e tyre kurrë nuk ka qenë më i ulët

schedule12:04 - 17 Gusht, 2023

schedule 12:04 - 17 Gusht, 2023

Besimi i gjermanëve në shtetin e tyre nuk ka qenë kurrë kaq i ulët, sipas një sondazhi të kryer me qytetarët nga Shoqata Gjermane e Shërbimit Civil (DBB).

Vetëm 27 për qind e qytetarëve ende besojnë se shteti është i aftë të kryejë detyrat. Gjermanët e shohin shtetin e tyre si të mbingarkuar mbi të gjitha me politikën e azilit dhe refugjatëve, politikën arsimore dhe politikën klimatike dhe mjedisore, sipas sondazhit, i cili u publikua të martën vonë.

Të gjitha shërbimet dhe institucionet qeveritare të anketuara morën nota më të këqija të performancës në vitin 2023 sesa në vitin e kaluar.

“Besimi i qytetarëve në aftësinë e shtetit të tyre për të vepruar ka rënë në nivel më të ulët. Kjo është alarmante”, tha kryetari Federal i DBB-së, Ulrich Silberbach, në një konferencë shtypi në Berlin.

Sipas mendimit të të anketuarve në vitin 2023, detyrat më të rëndësishme të shtetit janë ruajtja e drejtësisë sociale, përmirësimi i infrastrukturës dhe mbrojtja e klimës.

Në perëndim të Gjermanisë, mbrojtja e klimës, çështjet e migracionit dhe mbështetja për Ukrainën shihen si detyrat më të rëndësishme të shtetit, ndërsa në lindje të Gjermanisë konsiderohen ndihma e popullsisë nga pasojat e inflacionit, barazia sociale dhe barazia e kushteve të jetesës në zonat urbane dhe rurale.

“Veçanërisht shqetësuese në këtë drejtim është ndarja e shoqërisë që po bëhet gjithnjë e më e dukshme”, vazhdoi Silberbach. Ai shtoi: “Dallimet midis Lindjes dhe Perëndimit, të varfërve dhe të pasurve, si dhe në bazë të ngritjes arsimore po thellohen, kurse niveli i stresit social po rritet”.

Sipas sondazhit, 80 për qind e të anketuarve deklarojnë një brutalizim të përgjithshëm të shoqërisë. Ndërkaq, 26 për qind kanë qenë dëshmitarë të sulmeve ndaj punonjësve publikë. Rreth 54 për qind e punonjësve publikë janë fyer, kërcënuar ose sulmuar fizikisht.

“Kjo është një shifër plotësisht e papranueshme! Punonjësit e sektorit publik po paguajnë faturën për humbjen e përgjithshme të reputacionit të shtetit, jo vetëm në polici dhe shërbimet e urgjencës, por edhe në shkolla, qendrat e punës dhe zyrat e qytetarëve”, tha Silberbach.

Çdo vit, DBB kryen anketë për reputacionin e shërbimit civil. Këtë vit, siç bënë të ditur ata, në qershor 2023 kanë anketuar gjithsej 2.008 qytetarë të përzgjedhur përmes internetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!